Portugalia dhe Italia. Mund të ketë vetëm një… ose asnjë në Botëror. Dy kampionët e fundit europianë (2016 dhe 2020) kryejnë ndeshjet e tyre të fundit për të shkuar në Katar nëpërmjet ‘play-off’.
Problemi është se të dy udhëtojnë në të njëjtën anë të rrugës, ku ka vend vetëm për një. Në rastin më të mirë, bileta do të luhet në finalen e madhe të së martës. Por përpara, ata duhet të eliminojnë Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe e gjithë kjo, në një ndeshje të vetme.
‘Azzurrët’ i dhanë epërsinë Zvicrës dhe u detyruan të luajnë në ‘play-off’, pasi barazuan në Irlandën e Veriut (0-0) në ndeshjen e fundit. Sot do të luajnë në Palermo (20:45) kundër një ekipi që kërkon të debutojë në Botëror: Maqedonisë së Veriut.
Italia shkon me gjithçka… përveç Balotellit. ‘Super-Mario’ u la jashtë një liste prej 33 lojtarësh që përfshin brazilianët Luiz Felipe (Lazio) dhe Joao Pedro (Cagliari) si risitë kryesore. Ata bashkohen me bashkatdhetarin e tyre Emerson dhe Jorginho.
Italia, mbeti jashtë nga Rusia 2018, pas humbjes nga Suedia (1-0) në ‘play-off’, ndaj nuk dëshiron të mbetet jashtë një Botërori për herë të dytë radhazi. Kjo do të ishte hera e parë që do të ndodhte.
Roberto Mancini nuk e ka humbur kurrë besimin: “Ne do të jemi në Katar, sepse jemi të fortë dhe sepse ishim ekipi më i mirë në Euro. Mendoj se do ta fitojmë Kupën e Botës”.
Një Kupë Botërore pa CR7? Rruga e Cristiano Ronaldos drejt Botërorit të pestë të karrierës, mori një kthesë ditën e fundit. Portugalisë i vlente një barazim… por humbja ndaj Serbisë (1-2) e dënoi atë me ‘play-off’.
Një armik i vështirë e pret sonte. Turqia viziton Porton (20:45). Si të mos mjaftonte kjo, Portugalia mbërrin me probleme, sidomos në mbrojtje. Pepe rezultoi pozitiv për Covid-19, Rúben Dias dhe Nélson Semedo janë të dëmtuar dhe Cancelo (i dënuar) do të mbërrinte vetëm në kohë për finalen hipotetike. Nuk janë as Rúben Neves, apo Renato Sanches.
Fernando Santos, megjithatë nuk justifikohet: “Për lojtarë që nuk janë këtu, nuk ia vlen të flasim. Duhet të luajmë për 11 milionë portugezët. E ardhmja ime? Po mendoj vetëm për finalen me Turqinë.”
Ka shumë më tepër. Uellsi i Bales dhe Austria e Alabas do të luajnë po sot (20:45) për një vend në finalen… që do të luhet në qershor. Do të duhet të presim për fituesin e çiftit Skoci-Ukrainë, të shtyrë nga lufta.
Ndërkohë Polonia ka kaluar në finale pas përjashtimit të Rusisë. Pret të martën fituesin e çiftit midis Suedisë dhe Çekisë, që të luajnë sonte (20:45).
B.T (Dosja.al)





