Të paktën 15 persona janë vrarë në Somali dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur në dy sulme, pikërisht kur zgjedhjet indirekte parlamentare të vendit hyjnë në fazën e tyre përfundimtare.
Në qytetin qendror të Somalisë, Beledweyne, një sulmues vetëvrasës hyri në një restorant dhe hodhi veten në erë, duke vrarë të paktën 13 persona dhe duke plagosur të paktën 18 të tjerë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe sigurisë. Restoranti ishte i mbushur plot me zyrtarë dhe politikanë vendas. Dëshmitarët thanë se Zëvendës Komisioneri i Qarkut të Beledweyne Abdirahman Kaynan është mes të vdekurve, ndërsa një ligjvënës rajonal ishte në mesin e të plagosurve dhe është në gjendje kritike.
Sulmi i marrë përsipër nga grupi militant al-Shabab ndodhi në prag të raundit të parë të votimit për 25 vende parlamentare në zonën elektorale Beledweyne. Mes atyre që konkurrojnë për vendet është Fahad Yasin, ish-shefi i inteligjencës së vendit dhe këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare. Yasin mbërriti në Beledëeyne disa orë pas shpërthimit vdekjeprurës të së shtunës dhe vendi i tij konsiderohet më i popullarizuari dhe më me ndikim në vend.
Një gazetar i Zërit të Amerikës në Beledweyne tha se siguria është forcuar në të gjithë qytetin përpara zgjedhjeve të së dielës. Ndërkohë, në qytetin port të Somalisë, Bossaso, një eksploziv i improvizuar shpërtheu në një dyqan çaji, duke vrarë dy civilë dhe duke plagosur 13 të tjerë, përfshirë ushtarë. Asnjë përgjegjësi nuk u mor përsipër për sulmin dhe zyrtarët e sigurisë i thanë Zërit të Amerikës se po hetojnë.
Presidenti i shtetit Puntland të Somalisë, Said Deni, pritet të mbërrijë të dielën në Bossaso. Zgjedhjet në Somali do të përfundojnë më 25 shkurt. Dhoma e sipërme përfundoi vitin e kaluar, ndërsa deri më tani, 160 nga 275 anëtarët e parlamentit janë zgjedhur në dhomën e ulët.