Prej 10 shkurtit në paraburgim/ Shtyhet seanca për Erion Veliajn! E radhës do të mbahet më 12 dhjetor

0

TIRANË- Seanca paraprake për Erion Veliajn në GJKKO ka përfunduar, pasi është shtyrë për në datën 12 dhjetor në orën 9:30. Ndryshe nga hera e kaluar, këtë herë kryebashkiaku nuk është paraqitur personalisht në GJKKO, por përfaqësohej nga avokati i tij. Në seancën e datës 2 dhjetor, kryebashkiaku i Tiranës u paraqit fizikisht në gjykatë ndërsa kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, kërkesë e cila u pranua.

Veliaj tha se nuk ka pasur asnjë mundësi të kuptojë akuzën ndaj tij dhe të përgatitet për mbrojtjen, duke shtuar se e drejta për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkohë në seancën e ardhshme pritet që GJKKO të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo do ti kthehet SPAK-ut për hetime të mëtejshme.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal./