Prekëse! Arbër Hajdari ndan letrën e fundit të vogëlushes Elsa: Ndërroi jetë pas 7 ditësh

0

E Diela Ndryshe” ka mbërritur në puntatën e tetë dhe të fundit, në një mision drejt Korçës. Ndërsa udhëtojnë drejt qytetit plot histori, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea, ndan me Arbër Hajdarin përjetimet që ka marrë nga kjo rubrikë. Prekja nga afër e një realiteti ndryshe, rrëfimeve që tingëllojnë thuajse të pabesueshme, shpresës, sfidës, mbijetesës…

Edhe për themeluesin e “Fundjavë Ndryshe”, i cili tashmë ka një dekadë që ka themeluar fondacionin, nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Rastet e kanë forcuar dhe e kanë mësuar si të përballojë situatat, por ndërmend i vjen historia e Elsës, një vogëlusheje që nuk jeton më dhe e prek ende.

Arbër Hajdari: Është historia e një vajze të vogël që nuk jeton më. Është një histori e cila përloti të gjithë shqiptarët me vështirësitë që Elsa kalonte bashkë me familjen e saj, jetime, vetëm me nënën dhe me vëllanë e saj, në kushte shumë të larta bullizimi.

Arbër Hajdari: Për shkak të varfërisë.

“Çfarë i kemi bërë ne të keqe Zotit që e kemi marrë këtë dënim kaq të keq? Nuk dua më këtu. Dua të iki”, dëgjohet të thotë Elsa në një video.

Arbër Hajdari: Një fëmijë i jashtëzakonshëm, e zgjuar, mësonte dhe në atë kohë, kur ne i gjetëm bëmë të mundur që t’u siguronim një shtëpi të re, jo në Delvinë atje ku jetonin…

Ardit Gjebrea: Ah, pse ishte nga Delvina?

Arbër Hajdari: Ishte nga Delvina.

Ardit Gjebrea: Aty ku ka lindur nëna ime.

Arbër Hajdari: I kemi gjetur në ditë shumë të vështira. Më vonë arritëm që në një kohë shumë të shkurtër, njëkohësisht kur punonim për shtëpinë e re, të shkonin për herë të parë në plazh. Imagjino çfarë bën varfëria, të jetosh në Delvinë…

Ardit Gjebrea: Aq afër sa është Saranda, nuk kishin qenë asnjëherë në plazh?

Arbër Hajdari: Nuk kishin qenë asnjëherë në det.

Arbër Hajdari: Po. Gjatë kohës që ne punonim për shtëpinë, ndërkohë kemi shkuar një javë me pushime, unë, dy fëmijët, një kolege imja dhe nëna e fëmijëve. Më pas u kemi dhuruar shtëpinë në Fier sepse kishin disa të afërm në qytetin e Fierit.

Ardit Gjebrea: Ah, u spostuan nga Delvina në Fier.

Arbër Hajdari: U spostuan aty. Filluan shkollën të cilën e kishin me shumë mungesa, nuk shkonin për shkak të bullizimit që u bëhej të dy fëmijëve dhe në periudhën prej dy vitesh, ne me Elsën kishim krijuar një raport familjar sepse Elsa nuk mungonte në asnjë festë tonën, nuk mungonte as në ditëlindjen time dhe gati-gati, pothuajse një herë në muaj ne takoheshim me njëri-tjetrin. Unë, stafi i “Fundjavës”, aq sa Elsa në inagurimin e shtëpisë së saj, më kishte shkruar një letër dhe kur unë i dorëzova çelësin e shtëpisë nënës së saj, ajo më thotë që unë të kam shkruar një letër. Ishte shumë e vogël, ishte 6 vjeç për të pasur atë lloj zgjuarsie.

Arbër Hajdari: Më shkruan një letër ku më falënderon për shtëpinë dhe që kisha qenë afër saj dhe më drejtohet duke më thënë ti je babi im.

“Ne ty të kemi si baba dhe të duam dhe të falënderojmë shumë. Ti gjithmonë do të mbetesh në zemrat tona”, shkruhet në letër. Por fati u tregua i padrejtë me Elsën. Pikërisht kur gjërat sapo kishin nisur të merrnin një rrjedhë më të mirë, një sëmundje e papritur dhe agresive, do t’i merrte jetën.

Arbër Hajdari: Isha lidhur shumë shpirtërisht me të dhe unë në atë kohë nuk isha bërë ende baba dhe Elsën e trajtoja si të ishte vajza ime. Më vonë, në periudhën e pandemisë më vjen një telefonatë nga nëna e Elsës dhe më thotë që Elsa është në spital në Tiranë, në gjendje të rëndë.

Ardit Gjebrea: Po çfarë kishte?

Arbër Hajdari: Kishte një sëmundje shumë të keqe ku mjekët u detyruan të bënin disa analiza të shpejta jashtë vendit për shkak të specifikimit të sëmundjes dhe ishte një sëmundje e agravuar tashmë. Jam gjendur në spital sapo kam marrë informacion nga nëna e vet, mos të harrojmë që në ato kohë Tirana ishte gati e izoluar për shkak të pandemisë, sapo kishte nisur izolimi nga pandemia sepse askush nuk dinte çfarë ishte kjo lloj sëmundjeje. Elsa luftoi për jetën gati shtatë ditë.

Arbër Hajdari: Kaq shpejt. Pas shtatë ditësh, Elsa ndërroi jetë, me të gjithë mënyrat që mjekët u munduan ta shpëtojnë.