Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thirri rezervistët në ushtri por hodhi poshtë idenë e shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm. Kjo hedh poshtë të gjitha aludimeve se në Ukrainë, shteti po mobilizohet për luftë me Rusinë. Lëvizja e kreut të shtetit ukrainas pason vendimin e Putinit për të dërguar trupa në lindje të Ukrainës, pasi njohu si shtete të pavarura rajonet lindore ukrainase të Donjeskut dhe Luhanskut, që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Moska.
Zelensky tha se ai ende po ndiqte rrugët diplomatike për ta zgjidhur krizën dhe mirëpriti vullnetin e shprehur nga Turqia që të marrë pjesë në takime multilaterale, megjithatë theksoi sërish se vendi i tij nuk do t’i dorëzojë asnjë copë territori Rusisë.
Presidenti amerikan Joe Biden anuloi takimin e planifikuar me homologun rus Vladimir Putin. Shkak u bë autorizimi i Putin për të dërguar forca në lindje të Ukrainës, veprim që konsiderohet nga Uashingtoni si sulm ushtarak. Po ashtu është anuluar edhe takimi mes kryediplomatëve të dy shteteve, Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov.