SHBA – Kupa e Botës për Klube me 32 ekipe do të frymëzojë të rinjtë në mbarë botën, do të nxisë investime në futbollin e klubeve dhe do të krijojë më shumë mundësi për lojtarët dhe klubet në mbarë botën, tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë me DAZN.
“Unë vij nga një sfond në Evropë, ku ka të gjitha këto klube të nivelit të lartë, ka gara të shkëlqyera, ku ka lojtarë nga e gjithë bota, por si një tifoz futbolli, klubeve të tjera jo-evropiane nuk u është dhënë kurrë një skenë e vërtetë për të performuar”, tha Gianni Infantino.
“Për të rritur futbollin e klubeve, i cili përbën 80% të futbollit në mbarë botën, na duhet një garë globale për t’u dhënë mundësi të gjitha këtyre klubeve që investojnë shumë në krijimin dhe zhvillimin e talenteve.”
Gara e re globale e klubeve e FIFA-s fillon në Miami në agim (02 të dielën), kur Inter Miami do të luajë kundër Al Ahly, dhe përfundon në New York/New Jersey të dielën, më 13 korrik 2025, kur do të kurorëzohen Kampionët e parë zyrtarë të Botës për Klube të FIFA-s.
“Ajo që duam të arrijmë është të shkojmë drejt futbollit të globalizuar, ta bëjmë atë vërtet, vërtet global. Ne themi se është sporti numër një në botë, dhe është. Por elita është e përqendruar në shumë pak klube, në shumë pak vende, dhe ne duam t’u japim shpresë, mundësi Mamelodi Sundowns nga Afrika e Jugut, Uslan nga Koreja e Jugut, Auckland City”, theksoi ai dhe vazhdoi.
“Kjo frymëzon kaq shumë njerëz në vendet e tyre, kaq shumë fëmijë që mund të shpresojnë se mund të jenë pjesë e diçkaje. Pra, kjo është histori dhe mendoj se jam i bindur se sapo të fillojë të rrotullohet, e gjithë bota do ta kuptojë se çfarë po ndodh këtu, diçka e veçantë.”
32 klubet në turne përfaqësojnë 20 vende të ndryshme dhe gjashtë konfederatat, ndërsa lojtarë nga 81 vende do të marrin pjesë. Kjo do të thotë se u jep lojtarëve që mund të mos luajnë kurrë për vendin e tyre në një Kupë Bote mundësinë për të luajtur në një turne global.
“Një mik i mirë, shumë i mirë i imi është George Weah, ish-president i Liberisë, por më e rëndësishmja për ne tifozët e futbollit, ish-legjenda, lojtar i shkëlqyer, fitues i “Topit të Artë”, i vetmi lojtar afrikan që ka fituar ndonjëherë “Topin e Artë”, apo jo, nuk ka luajtur kurrë në një Kupë Bote”, tha zoti Infantino. “Por ai do të luante në një Kupë Bote për Klube.”
Gianni Infantino tha se me të ardhura prej rreth 2 miliardë dollarësh, çdo ndeshje do të vlente 30 milionë dollarë. “Nuk ka asnjë garë tjetër klubesh në botë që vlen 30 milionë dollarë për ndeshje”, tha ai.
Të 63 ndeshjet do të transmetohen drejtpërdrejt dhe falas për publikun: “Për mua, futbolli i përket popullit”, tha Gianni Infantino. “Më tregoni një garë kryesore sot ku mund të shikoni futbollin e klubeve falas…
Futbollin e ekipit kombëtar, mund të shikoni disa ndeshje falas, sepse qeveritë u detyruan të na detyronin ne, organet sportive, të zhvillonim disa ndeshje falas. Por ligat kryesore të klubeve, jo.
Gjithçka paguhet. Mund të jesh në Timbuktu, mund të jesh në Hanoi, ose mund të jesh në New York, ose Londër, ose Romë, ose Madrid dhe mund të shikosh Kupën e Botës për Klube, e cila është lojtarët më të mirë në botë, klubet më të mira në botë, falas. Nuk është aq keq, apo jo?”