TURQI- Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan akuzoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu si kasapi i Gazës, pasi ka kryer mizoritë më të mëdha të këtij shëkulli.
“Netanyahu, i cili kreu mizoritë më të mëdha të shekullit në Gaza, tashmë ka emrin e tij të shkruar në histori si kasapi i Gazës”, tha Erdogan, gjatë një fjalimi në grupin parlamentar të partisë së tij AKP, të transmetuar nga TV shtetëror turk TRT, në të cilin ai e përkufizoi veprimin e Izraelit kundër Gazës si një “gjenocid”, duke kritikuar Perëndimin për mbështetjen e kryeministrit izraelit.
“Ata që e mbështetën dhe heshtën janë po aq fajtorë”, tha lideri turk, duke shtuar se deklaratat e fundit të Netanyahut pakësojnë mundësinë që armëpushimi të bëhet i përhershëm. Erdogan njoftoi gjithashtu se po planifikon një vizitë zyrtare në Athinë më 7 dhjetor për të takuar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
“Shpresoj se kjo vizitë mund të hapë një faqe të re në marrëdhëniet tona. Ka shumë fusha ku ne mund të rrisim bashkëpunimin tonë. Mosmarrëveshjet me Greqinë kanë ekzistuar dje dhe do të ekzistojnë edhe nesër, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të gjejmë gjuhën e përbashkët pasi jemi dy vende që ndajmë të njëjtin det”, tha Erdogan.
Presidenti turk ka mbajtur një qëndrim mjaft kritik kundrejt izraelit. Ai nuk e ka dënuar sulmin e Hamasit në 7 tetor, ndërsa është shprehur se palestinezët duhet të gjejnë lirinë e dëshiruar.