Në rubrikën “Ka Një Mesazh për Ty”, te “E Diela Shqiptare”, Silvana tregon historinë e saj dhe kalvarin e vuajtjeve për të arritur një ditë të lumtur.
Në vitin 2002 familja e saj u transferua në Durrës, por jetesa atje nuk ishte ashtu sikurse ata e kishin menduar. Duhej shumë mund dhe sakrificë për të arritur atje ku ata donin. Silvana tregon se 4 vite më vonë familja e fejoi me një djalë që jetonte në Itali, por pa pëlqimin e saj. Ajo nuk e pëlqente, as e donte! Dhe intuita nuk e gënjeu…
Ai djali i mirë, që i prezantoi familja, nuk rezultoi kështu. Silvana tregon se ai kthehej çdo natë i dehur në shtëpi dhe nuk i falte kohë dhe dashuri.
Silvana: Familja ime në vitin 2002 transferohet në Durrës. Kam katër vëllezër dhe një motër. Unë vazhdova që të punoja në rrobaqepësi, kurse vëllezërit e mi punonin në ndërtim, që të bënim një ekonomi, që të ndihmonim familjen. Por, ishte shumë e vështirë. Në vitin 2006 familja ime më fejton me një djalë që ishte në Itali. Ishte me shkesë nga një shoqja e mamit.
Ardit Gjebrea: Të pëlqeu?
Silvana: Jo! I thashë direkt mamit që jo nuk më pëlqen, mami më thoshte që pusho se është turp. Kështu që u fejova brenda javës. Nuk zgjati shumë, sepse ata thoshin që do të shkonin në Itali.
Ardit Gjebrea: Si kalove me të fejuarin?
Silvana: Kjo është me e keqja Ardit. Sepse u fejova. Ditën që shkëmbejmë unazat më merr dhe më çon tek shtëpia e gjyshes. Kishte një gjë të keqe pinte. Ditën e fejesës, që ishim në lokal, xha ishte i pirë, ishte tapë.
Ardit Gjebrea: Po mami jot nuk e pa këtë gjë?
Silvana: Mami e pa, por nuk më tha gjë. Nuk më ra në sy. Më çon tek gjyshja, më la atje dhe kthehet në orën 3:00 të natës, tapë, si gjithmonë. Iku në mëngjes, kur u kthye në darkë, i njëjti avaz, gjithmonë tapë. Nuk kishte as komunikim asnjë gjë. Me mamin fola dhe më thoshte që hë se do ndryshojë.
/tvklan.al





