Prodhonin 30 kilogramë kokainë në ditë! 25 të arrestuar në Valencia, mes tyre edhe shqiptarë

0

 

Dy shqiptarë, pjesë e një grupi kriminal që merrej me prodhimin dhe trafikimin e kokainës në Valencia, janë arrestuar nga policia e Spanjës gjatë një operacioni. 

Oficerët e Mbikëqyrjes Doganore nga Agjencia Tatimore, në një operacion të përbashkët me oficerët e Policisë Kombëtare, kanë shkatërruar një grup kriminal të dedikuar për trafikimin e kokainës në Valencia.

Sipas mediave spanjolle, grupi kishte një laborator të aftë për të gatuar deri në 30 kilogramë drogë në ditë. Gjatë operacionit, të quajtur “I. Amable/Sunka/Zafra”, u arrestuan 25 persona, përfshirë udhëheqësit e rrjetit kriminal, mes tyre 2 shqiptarë, 9 spanjollë, 12 me kombësi kolumbiane, një meksikan dhe një italian.

Një duzinë bastisjesh dhe kontrollesh u kryen në tetë lokacione në provincën e Valencias, duke rezultuar në sekuestrimin e makinerive, bazës së kokainës ashtu edhe kokainës, si dhe kartëmonedhave ligjore dhe të falsifikuara, armëve dhe municioneve, pesë makinave luksoze, 28 telefonave celularë dhe dokumenteve të ndryshme.

Bëhet fjalë për 38 kilogramë pastë kokaine, 7.4 kg kokainë, makineri për prodhimin e kokainës, 87 gramë hashash dhe 94 gramë marijuanë. Po ashtu, pesë armë zjarri, së bashku me 30 karikatorë dhe deri në 1,000 fishekë, një silenciator, një armë trullosëse, më shumë se 32,000 euro kesh, pothuajse 39,000 euro të falsifikuara.