Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT për tremujorin e katërt të vitit 2025, profesioni më i paguar është shënuar tek Forcat e Armatosura, me një rritje prej 10.6%. Shkalla e punësimit u rrit në 58.8%, ndërsa papunësia ra në 8.3%, duke e çuar numrin e të punësuarve në 1.172.550 persona dhe të papunëve në 105.906.
Paga mesatare bruto për një person arriti në 86.984 lekë, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me një vit më parë. Sektorët me pagesë më të lartë mbeten aktivitetet financiare dhe të sigurimit, si dhe informacioni dhe komunikacioni.
Në tremujorin e katërt të vitit 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç arriti në 75.9%, duke u rritur me 0.4 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ky tregues ka pësuar një ulje prej 0.6 pikë përqindje, për shkak të natyrës ciklike të ekonomisë shqiptare ku turizmi ndikon ndjeshëm në sezonin veror.
Ndryshe nga administrata dhe shërbimet, bujqësia pësoi një rënie të ndjeshme të punësimit me 9.7%, duke konfirmuar se mbetet sektor i nën-financuar. Edhe industria shënoi një bilanc negativ prej 0.7%, për shkak të kostove të larta të prodhimit, normave të këmbimit dhe rënies së kërkesës nga tregjet e huaja.
Megjithëse pagat janë rritur, bizneset e hoteleri-turizmit nuk kanë arritur të tërheqin mjaftueshëm punonjës vendas.Për këtë arsye, shumë kompani janë detyruar të rekrutojnë staf nga vendet e treta, duke reflektuar një sfidë të vazhdueshme për tregun e punës në këtë sektor.





