Prokuroria çon në gjyq policin e “Shqiponjave”, dyshohet se rekrutoi nxënësin e mitur me vështirësi ekonomike për shpërndarje droge

0

FIER- Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim një efektiv të repartit “Shqiponja”, i cili akuzohet se rekrutoi një nxënës të mitur për të shpërndarë drogë gjatë vitit 2024.

Hetimet disa mujore zbuluan se polici shfrytëzoi vështirësitë ekonomike dhe familjare të të riut për ta përfshirë atë në këtë veprimtari kriminale.

Institucioni i akuzës konfirmoi sot mbylljen e dosjes dhe dorëzimin e saj në gjykatë për nisjen e procesit penal.

Njoftimi:

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin B.D. i akuzuar për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Shtytja e të miturit në krim’, parashikuar nga nenet 283/1, 248 dhe 129, të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve, mbi proedimin penal nr. 380, viti 2024 u arrit të provohet se, punonjësi i policisë i Njësisë së Posaçme “Shqiponja” B.D., me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet për të rekrutuar nxënësin E.H., përdorues i lëndëve narkotike, me probleme familjare dhe në vështirësi ekonomike.

Duke njohur varësinë e këtij të fundit dhe duke përfituar nga cilësitë e tij si punonjës i shqiponjave, i pandehuri B.D. në fillim “e rekruton” të miturin për t’i dhënë informacione policore, por qëllimi kryesor ishte përdorimi i tij për shitjen e narkotikëve. Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cënuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit E.H.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të punonjësve të shërbimit publik që kryejnë vepra penale kundër rendit, sigurisë publike dhe fëmijëve”.,shkruhet në njoftim./