Kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovën, Milovan Drecun ka komentuar emërimin e Bashkim Jasharit si komandant i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Drecun tha për RTS se pas emërimit të tij është e qartë që “Albin Kurti nuk mund të dalë nga petku i kriminelit të UÇK-së”.
“Duhet ditur se ai i përket një klani të organizuar kriminal, daja i tij është Adem Jashari, i cili u vra në përleshjet me forcat tona të sigurisë, por është veçanërisht interesante se Baskim Jashari ishte një nga komandantët e zonës në të ashtuquajturën Mbrojtja e Kosovës. Ai ishte i dyshuar për disa aktivitete kriminale në atë kohë”,- tha Drecun.
“Është shumë problematike që një person si Jashari i lidhur me kontrabandën e drogës dhe armëve, reketimin dhe organizimin e prostitucionit, të vijë në krye të të ashtuquajturës ushtria e ardhshme”,-shtoi Drecun.
Ai duke vazhduar intervistën propagandistike në televizionin serb ka thënë se bashkë me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti kanë plane për sulm në Veri të Kosovës.
“Ata janë duke punuar intensivisht në armatosjen e FSK-së, të cilën po e shndërrojnë në ushtri të Kosovës sipas planit dhjetëvjeçar. Ata kanë plane operative shumë aktive për veprim dhe depërtim të atij formacioni në veri të Kosovës. Qëllimi i tyre i vetëm është të përpiqen të sundojnë me dhunë në Kosovën veriore”, -theksoi Drecun.