TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët, u pyet edhe propozimin e bërë së fundmi nga aleatët e opozitës për krijimin e një federate dhe mundësisë që të “tradhtoj” Metën.
Berisha tha se e ka në natyrën e tij që të studiojë dhe të marrë seriozisht propozimet e aleatëve, duke shtuar se ai është i hapur për krijimin e aleancave të reja, por nuk i harron të vjetrat.
“Është në natyrën time që i studioj dhe i marr seriozisht propozimet e aleatëve. Po e studioj propozimin e tyre. Unë jam i hapur për krijimin e aleancave të reja, por nuk i harroj të vjetrat” , tha shkurtimisht Berisha.
Ish-kryeministri u pyet nëse do pranonte aleancën nëse do ishte pjesë edhe Lulzim Basha. Berisha tha se nuk do ndodhë kurrë që partia të shkrihet me “Bravat dhe Ballat”.
“Ju e dini që nuk ka dallim Basha-Balla, Balla-Basha. Njërit i them Brava, tjetrit i them Bego. Ata në substancë janë një.
Nuk mund të ndodhë kurrë që kjo parti të shkrihet me Ballat dhe me Bravat. Jo, aq më tepër që pavarësisht nga rrethanat, por akuzat e fundit të hetimit të 4 gazetarëve të BBC, dhe angazhimi i tyre për të vazhduar hetimin për paratë ruse të marra, unë do i thoja çdo opozitari, të mbajë shënim dhe të ketë kujdes sepse opozita shqiptare është një opozitë, për definicion, me kontribute të mëdha kundër interesave strategjike ruse në Shqipëri dhe rajon.”, tha Berisha,