Ditën e sotme do të zhvillohet një protestë e banorëve të ‘5 Majit’. Qytetarët do të mblidhen në orën 19:00 përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për të kundërshtuar arrestimin e bashkëqytetarëve të tyre që u vunë në pranga një ditë më parë.
Ditën e kaluar, policia shoqëroi në komisariat tre qytetarë të zonës së ‘5 Majit’ të cilët sipas policisë kanë dhunuar efektivët. Në pranga përfunduan: Bekim Cerrin, Loreta Nikollin dhe Mirash Markun. Sipas policisë të lënduar kanë mbetur 8 efektivë të cilët kanë marrë dëmtime të shumta në trup.
Banorët e ‘5 Majit’ pretendojnë se nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje për t’u dëmshpërblyer. Ata kërkojnë që të përfitojnë numrin e plotë të pronës që kanë të regjistruar në emrin e tyre, gjë që Bashkia pretendon se e ka zgjidhur e se të gjithë do të dëmshpërmblehen sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021. Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re.