Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka komentuar protestën e djeshme në Kosovë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Me anë të një postimi në Facebook, Molliqaj shkruan se vullneti i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të kthehet prapa propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për ndryshimin e tarifave.
Ai në postim ka pralajamëruar për protesta dhe aksione të tjera derisa të plotësohen këto kërkesa që ata kanë. Shpullën që i dha njërit prej efektivëve të policisë, Molliqaj nuk zgjodhi që ta komentonte.
Postimi i plotë:
Të dëgjohet vullneti i qytetarëve, të kthehet mbrapsht propozimi për shtrenjtim të rrymës Pabarazia socio-ekonomike në Kosovë është shumë e thellë. Çmimet, përfshirë edhe ato të produkteve bazike ushqimore e higjienike janë rritur shumë tashmë. Familjet që i përkasin shtresës së varfër dhe asaj të ulët me vështirësi ia dalin në fund të muajit.
Në këtë situatë, propozimi për shtrenjtim të energjisë elektrike është absolutisht i papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me nevojat e qytetarëve të Kosovës. Ky propozim, i cili është në diskutim publik deri nesër, u kundërshtua fuqishëm nga qytetarët e vendit. Prandaj, kërkojmë nga ZRRE që nesër të mos e aprovojë propozimin në fjalë e ta dëgjojë zërin e qytetarëve. Në të kundërtën, aksionet e protestat do të vazhdojnë deri sa ky vendim të kthehet prapa.