SUEDI- Një burrë grisi dhe dogji një Kuran jashtë xhamisë qendrore të Stokholmit të mërkurën, një ngjarje që rrezikon të zemërojë Turqinë ndërsa Suedia kërkon të anëtarësohet në NATO, pasi policia suedeze dha lejen për të zhvilluar protestën. Policia më vonë e akuzoi burrin për agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar. Një seri demonstratash në Suedi kundër Islamit dhe për të drejtat kurde kanë ofenduar Ankaranë.
Suedia kërkoi anëtarësimin në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Por, anëtari i aleancës, Turqia e ka shtyrë procesin, duke akuzuar Suedinë për strehimin e njerëzve që i konsideron terroristë dhe duke kërkuar ekstradimin e tyre. Rreth 200 shikues panë një nga dy organizatorët duke grisur faqet e një kopje të Kuranit dhe duke fshirë këpucët e tij me të përpara se të fuste proshutë në të dhe t’i vinte zjarrin librit, ndërsa protestuesi tjetër foli me megafon.
Disa nga të pranishmit bërtitën “Zoti është i madh” në arabisht për të protestuar kundër djegies, dhe një burrë u ndalua nga policia pasi u përpoq të hidhte një gur. Një mbështetës i demonstratës bërtiti “le të digjet” ndërsa libri i shenjtë mori flakë.