Protestat në Serbi, Rusia paralajmëron Perëndimin të mos ndërhyjë, Vuçiç: Faleminderit miqve rusë

0

Prej tetë muajsh, Serbia po përjeton një valë të pazakontë protestash kundër presidentit Aleksandër Vuçiç.

Pas një manifestimi masiv të shtunën, ku morën pjesë rreth 140 mijë vetë, mijëra qytetarë kanë organizuar bllokime rrugësh në Beograd dhe qytete të tjera të vendit, duke kërkuar lirimin e të rinjve të arrestuar gjatë përplasjeve me policinë. Protestuesit e akuzojnë qeverinë për nxitje të dhunës dhe e konsiderojnë të paligjshme.

Sipas të dhënave zyrtare, 48 efektivë policie janë lënduar gjatë përplasjeve, ndërsa 77 persona janë arrestuar ku 38 prej tyre ndodhen ende në paraburgim.

Presidenti Vuçiç, ish-ministër i Informacionit gjatë regjimit të Millosheviçit dhe drejtues i partisë së djathtë SNS, e ka dënuar dhunën, duke e interpretuar si një përpjekje për të destabilizuar shtetin.

Autoritetet kanë akuzuar protestuesit se kishin planifikuar veprime të dhunshme për 28 qershorin, ditën simbolike të Betejës së Kosovës, me qëllim “frikësimin e investitorëve të huaj dhe izolimin e vendit”. Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, e cilësoi situatën si “terrorizëm apo fashizëm”.

Lëvizja protestuese nisi më 1 nëntor, pas një tragjedie në Novi Sad, ku shembja e një tavani betoni në stacionin qendror shkaktoi 15 viktima. Pavarësisht investimeve të fundit, ndërtimi rezultoi i pasigurt dhe hetimet zbuluan lidhje me një kompani të afërt me qeverinë kineze, një nga partnerët strategjikë të Serbisë, së bashku me Rusinë dhe Hungarinë.

Protestat kanë sjellë pasoja të dukshme: më 28 janar, dha dorëheqjen kryeministri Milos Vuçeviç, i cili ka qenë për një dekadë kryetar i bashkisë së Novi Sadit. Megjithatë, qytetarët kërkojnë më shumë: fundin e një regjimi që kontrollon mediat publike dhe mbyll organizatat joqeveritare.

Vuçiç ka deklaruar se mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo referendum brenda disa muajsh, por studentët qëndrojnë të vendosur që kjo të ndodhë sa më shpejt, përpara vitit 2027 kur parashikohen zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, edhe Rusia e ndjek me shqetësim situatën në Beograd. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shprehu shpresën se gjithçka do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe paralajmëroi Perëndimin të mos ndërhyjë për të nxitur një “revolucion me ngjyra”, siç ndodhi në të kaluarën në vende si Gjeorgjia apo Ukraina.

Ndërkohë, në një prononcim nga konferenca e OKB-së në Sevilje, presidenti Aleksandar Vuçiç falënderoi “miqtë rusë për mirëkuptimin dhe vlerësimin e tyre të mirë të asaj që po ndodh në Serbi”, ndërsa u zotua se shteti do të bëjë punën e vet: “Kur fola me Presidentin Putin dhe Lavrov, ata e dinin se ky ishte një revolucion me ngjyra. Faleminderit miqve tanë rusë që e vunë re këtë. Faleminderit Sergei Lavrov që e kuptoi kaq mirë dhe faleminderit analistëve të rrallë e të ndershëm rusë që vunë re se Vuçiç do të jetë i vështirë për t’u thyer, se unë nuk jam si ata që do të ikin nga Serbia, por se do të luftoj për lirinë e vendit dhe nuk do ta lë kurrë në mëshirë të fatit”.

Ai shtoi se zgjedhjet në Serbi do të mbahen kur të thirren nga autoritetet kompetente, jo kur ta kërkojë një “bandë huliganësh”.