Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli ditën e sotme në mbledhjen e Kryesisë në selinë blu për situatën e energjisë në vend ndërsa tha se në 8 muajt e fundit janë prodhuar 2.74 teravatë që janë 100% nevoja e vendit, por sipas tij kjo sasi është shitur me çmim të ndryshëm.
Berisha tha se “qeveria e ka shndërruar energjinë në bixhozin më të madh në botë dhe “mallkim për qytetarët”. Po ashtu ai foli edhe për zgjedhjet primare dhe protestat të cilat sipas tij nuk mund të shtyhen më.
Sakaq, Berisha nuk kurseu fjalët për kryeministrin Rama të cilin e cilësoi si “një njeri që nuk udhëhiqet nga logjika njerëzore”, ndërsa në përfundim të fjalës së tij e etiketoi si “një antishqiptar krenar”.
“Në 8 muaj janë prodhuar 2.74 teravatë, 100% nevoja e vendit po këta hajdutë për të mbushur xhepat shesin me çmime që vendosin vetë dhe blejnë jashtë burse energji. E kanë shndërruar energjinë në bixhozin më të madh në botë, e kanë shndërruar në një mallkim për qytetarët. Vetëm vjedhjet monstruoze të klientelës socialiste, të patronazhistëve kanë arritur në 1.1 teravat. Në krye të vjedhjeve është qeveria, e cila ka 200 mln euro borxh entit të energjisë. Sot lajmëronte se prodhuesit do të kthehen te taksa e të atit, taksë e jashtëzakonshme.
Një injorant, prodhuesit e energjisë kanë investuar dhjetëra milionë. Ai nuk ka njohuritë më elementare njeri me koncepte rudimentale. Sot thoshte ata kanë fat e fitime përrallore, por ata duhet të nxjerrin investimet e bëra. Ky tani do kthejë taksat e 46-ës. Ky duhet të përballet me qytetarët, ndaj dhe nesër do të takohem me kryetarët e degëve të Tiranës të ndajmë detyrat dhe të angazhohemi në një veprimtari shumëplanëshe. Primaret janë primare, protestat janë protesta, nuk shtyhen më. Ky ka një cinizëm ekstrem ndaj qytetarëve, të vetmit në botë që kanë këtë çmim nafte, sepse ky e taton 1.1 euro.
Kjo është logjika e një njeriu që udhëhiqet nga fugat e tij psiqike dhe jo nga logjika njerëzore. Si mund të tatohet aq kur në Kanada shitet me atë çmim. Sytë, mendjet e zemra janë të përqendruara te opozita dhe nuk do t’i zhgënjejmë. Tirana në krye dhe beteja fillon! Këto do jenë çështjet tona më kryesore, në zgjedhje do marrim pjesë e do fitojmë. Asgjë nuk na detyron të shmangemi nga zgjedhjet dhe fitorja në to. Tani tha do marrë studentë nga jashtë, është antishqiptar dhe është krenar për të, ka një urrejtje patologjike për shqiptarët, se si i duken këtij fëmijët e shqiptarëve që u dashkan zëvendësuar le ta shpjegojë këtë”, deklaroi Berisha.