Qindra gra kanë dalë në rrugë në dhe përreth kryeqytetit të Sudanit, Khartoum, për të protestuar kundër dhunës dhe ngacmimeve seksuale. Aljazeera shkruan se gjatë një proteste pro-demokracisë forcat e sigurisë në vend supozohet se kanë përdhunuar 13 gra dhe vajza.
Kombet e Bashkuara thanë se këtë javë forcat e sigurisë kanë përdhunuar në grup të paktën 13 gra dhe vajza në demonstratën masive të së dielës jashtë pallatit presidencial në Khartoum. Drejtuesja e njësisë së dhunës me bazë gjinore në Ministrinë e Zhvillimit Social, Suliema Ishaq tha se tetë gra të moshës midis 18 dhe 27 vjeç i ishin drejtuar departamentit të saj për të marrë trajtim.
“Dy prej tyre u trajtuan brenda 24 orëve dhe gjashtë të tjerë erdhën më vonë, por besoj se numri është më i lartë se kaq,” tha Ishaq.
Protestuesit dorëzuan të enjten një memorandum në zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Khartoum, duke kërkuar një hetim për rastet e dhunës seksuale dhe fizike. Më shumë se 40 organizata të të drejtave dhe të ashtuquajturat “komitete të rezistencës” – grupe lagjesh me një strukturë komanduese horizontale që kanë udhëhequr lëvizjen pro-demokratike të Sudanit – nënshkruan dokumentin.