TIRANË – Projekti i Unazës së madhe ka zgjuar pakënaqësi shumë të mëdha tek banorët e Laprakës, të cilët kanë protestuar sërish para Kryeministrisë ditën e sotme pasi banesat e tyre rrezikohet që të shemben.
Banorët thonë se nuk janë kundër projektit, por ajo që kërkojnë është që të dëmshpërblehen nga shteti në mënyrë të plotë.
“Ne kërkojmë dëmshpërblim të plotë. Ne jemi pro projektit, por duam që të trajtohemi njësoj si ata që janë në pushtet, edhe ne që jemi pa pushtet’, thanë banorët.
Kritika i janë drejtuar edhe partisë demokratike pasi qytetarët deklaruan se është shurdhuese heshtja e opozitës, për një kauzë kaq të rëndësishme, pasi janë mbi 2 000 banorë, që mund të dalin në qiell të hapur.
“Është shurdhuese edhe heshtja e PD-së. Duhet që kjo çështje të kalojë në të gjitha Komisionet”, u shprehën banorët.
Banorët e Laprakës kanë zhvilluar protesta prej gati një muaji tashmë. Ata vijojnë të paralajmërojnë përshkallëzim të protestës, pasi nuk po marrin përgjigjë për kërkesat e tyre. Nga institucionet përkatëse nuk ka ende asnjë reagim zyrtar. Ata vijojnë të kërkojnë informacion dhe transparencë mbi këtë projekt dhe shprehen se nuk janë kundër zhvillimit të tij, nëse do të dëmshpërblehen me çmimin real të tregut.