‘PS 3, PD 2, LSI 1’ / Zgjedhjet e 6 Marsit, KQZ përcakton anëtarët e partive në KZAZ

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sot për përbërjen e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet e 6 marsit duke ndarë anëtarët për secilën parti. Mësohet se në gjashtë bashkitë e vendit ku do të mbahen zgjedhje, 3 anëtarë të KZAZ-ve do t’i ketë Partia Socialiste; 2 anëtarë Partia Demokratike dhe 1 anëtar LSI-ja. Në këtë mënyrë është bërë një ndarje e barabartë mes maxhorancës dhe opozitës edhe pse kjo e fundit duket të jetë e përçarë. Krahas kësaj, në zgjedhje pritet të futen edhe kandidatë nga mbështetësit e ish-Kryeministrit Sali Berisha.

Ndërkohë, anëtari i shtatë do të hidhet me short, ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. KQZ vendosi gjithashtu se PS do të propozjë Sekretarin në KZAZ ku zv. kryetari do të jetë i PD dhe PD do të propozjë Sekretarin në KZAZ ku zv. kryetari do të jetë i PD.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, me anë të një njoftimi në rrjetin social ‘Twitter’ ka bërë me dije sot se partitë politike që kanë të drejtë të paraqesin anëtarë dhe sekretarë në KZAZ për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, duhet të sjellin propozimet e tyre në KQZ brenda datës 25 janar 2022. Sipas Celibashit, pas paraqitjes së këtyre emrave, Komisioneri do të miratojë përbërjen e KZAZ-ve jo më vonë se data 27 janar 2022.

Fushata nis në 19 shkurt:

Fushata elektorale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashkitë vendit që do të mbahen më 6 mars do të nisë më 19 shkurt. Ky ishte vendimi që u miratua dy ditë më parë pas propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi. Tashmë kandidatët do të kenë vetëm 14 ditë kohë për fushatën e tyre. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Indrit Sefa kërkoi një datë më të hershme mirëpo u hodh poshtë nga KQZ duke vendosur datën 19 shkurt. Në mbledhjen e parë përgatitore për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, përfaqësues i PD në KQZ Ivi Kaso, i cili është me krahun e Berishës, ka kundërshtuar përfaqësinë e partisë në komision pasi sipas tij i ka dërguar Lulzim Basha që nuk është më kryetar. Sipas tij vula e Partisë Demokratike ka ndryshuar që më 11 dhjetor. Kryetari i KQZ-së vendosi që përfaqësuesit ligjorë të PD-së në Komision do të ishin Indrit Sefa dhe Marash Logu, ata që janë konsideruar si përfaqësues ligjorë të PD-së nga kryedemokrati Basha.

Cilat bashki janë pa kryetar?

Për momentin Shkodra është drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, Voltana Ademi, e cila u rikthye në detyrë pas largimit të Valdrin Pjetrit. Dibra mbeti pa kryetar bashkia pasi Dionis Imeraj dha dorëheqjen. Durrësi ka Emirjana Sakon, pasi Valbona Sako u largua nga pozicioni i saj si kryebashkiake pas një gafe që bëri pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Kryebashkiaku Haxhi Memolla u nda nga jeta dhe për pasojë në krye të bashkisë së Rrogozhinës u komandua Edison Memolla. Lushnja pasi kryebashkiaku Fatos Tushe u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu