PS Cërrik ndez motorët! Ministri Andis Salla: “Florenc Doka, njeriu i duhur për Cërrikun dhe zhvillimin e bashkisë”

0

Kinemaja e Cërrikut u mbush pasditen e së hënës me atmosferë entuziaste, teksa Asambleja e Partisë Socialiste zyrtarizoi kandidaturën e Florenc Dokës për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit.

Në takim morën pjesë figura të rëndësishme të PS-së, mes tyre Ministri i Bujqësisë Andis Salla, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, deputeti Agron Gaxho dhe kryetari i PS-së Cërrik, Tomorr Zaimaj. Pjesëmarrësit diskutuan strategjinë elektorale dhe përgatitjet për fushatën që pritet të jetë intensive dhe e fokusuar në kontaktin me qytetarët.

Në fjalën e tij, Ministri Salla u shpreh:
“Florenc Doka është njeriu i duhur për Cërrikun! Ai njeh çdo sfidë të qytetit dhe çdo problem të banorëve. Me Florencin, Cërriku do të ecë përpara me projekte reale dhe zhvillim të qëndrueshëm.”

Deklarata e Sallës u prit me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit, ndërsa mesazhi i unifikuar ishte i qartë: mbështetje maksimale për Dokën dhe për një fitore të bindshme të Partisë Socialiste në 9 nëntor.

Ky takim u pa si një hap i rëndësishëm për strukturat e PS-së në Cërrik, që tashmë kanë ndezur motorët për një fushatë të fokusuar në projektet konkrete dhe angazhimin e drejtpërdrejtë me komunitetin.