– Lea Ypi, akademikja e cila ka sjellë se fundmi në gjuhën shqipe romanin e saj të titulluar “Të lirë” ka shpjeguar arsyet që e bënë të prezantonte këtë libër në ambientet e vilës së diktatorit Enver Hoxha.
E ftuar në Spotlight, në Vizion Plus, Ypi tha se gjithçka lidhet me një vajzë që është edhe personazh i librit, e cila e kishte ëndërr të takonte ‘xhaxhin Enver’ të fliste me të e t’i thoshte se sa shumë e donte partinë. Vetë ajo shton se ish-diktatori Enver Hoxha duhet të jetë në ferr, duke kujtuar kështu dhe ibrin e Dante Alighierit. Shkuarjen pas kaq vitesh, në vilën e tij, Lea Ypi thotë se e ka menduar si një dënim për Enver Hoxhën, pasi aty për të folur për të majtën, një koncept ndryshe nga ai i ish-diktatorit.
“Ideja e prezantimit në vilën e Enver Hoxhës lidhej me një ëndërr që ajo vajza e vogël ka patur kur lexonte një libër që ndoshta disa nga ndjekësit e mbajnë mend, që e kishte titullin “Për shokët e mi pionerë”. Dhe ai libri ka patur dhe fotografi brenda tij dhe në disa nga ato fotografi kishte xhaxhin Enver që pozonte i rrethuar nga shumë fëmijë. Dhe ajo vajza që është personazhi i këtij libri e ka kaluar fëmijërinë e saj duke kërkuar që të ishte një nga fëmijët e atij libri. Të shkonte në shtëpinë e xhaxhit Enver, ta vizitonte atë, të kishte mundësi të fliste, t’i tregonte sa shumë e donte partinë, xhaxhin Enver. Sa shumë besonte në komunzimin në Shqipëri dhe në faktin që ajo ishte një pionere shembullore. Në të vërtetë, ajo vajza nuk e kishte kuptuar dot kurrë, se pse ishte e pamundur për të që të shkonte në shtëpinë e shokut Enver.
Për mua kishte një domethënie shumë të rëndësishme kthimi në atë shtëpi, sepse në ‘Komedinë Hyjnore’ të Dantes ‘Ferri’ është aty ku shkojnë njerëzit që kanë kryer krime dhe dënimi që ata marrin në ferr, kur Dante shkon me Virgjilin dhe Virgjili i shpjegon pse është në këtë rreth, gjithmonë dënimi është e kundërta e asaj që ata kanë bërë në jetë. Dhe unë mendova, sikur Enver Hoxha të jetë në Ferr, në qoftë se ka Ferr, Enver Hoxha duhet të jetë aty brenda besoj unë…Mendova se dënimi që do të merrte ishte që një armike e klasës, një përfaqësuese e një familje e një shtrese shoqërore që ai e kishte shtypur, do të kthehej në shtëpinë e tij për të folur për rëndësinë e ideve të majta dhe në një farë mënyre për të kundërshtuar atë që ai kishte thënë. Enver Hoxha kishte një kuptim shumë të qartë se çfarë ishte e majta, revizionizmi, imperializmi dhe po të vinte me një konceptim komplet tjetër të asaj se çfarë është e majta, socializmi që nuk kishte asnjë lidhje me materializmin dialektik në të cilin besonte ai. Dhe që pikërisht kjo përfaqësuese e këtij brezi do të ishte aty, jo vetëm duke folur për të majtën, por edhe duke shitur një libër,”- tha Ypi.