MAL I ZI- Detaje të reja janë zbuluar nga incienti me makinë i kryeministrit Dritan Abazoviç. Sipas informacioneve të “Vijesti”, sistemi i frenave në veturën tip “Mercedez Benz” të përdorur nga Abazoviç ka pasur probleme teksa kryeministri shkonte për në Obzovicë, rreth pesëdhjetë metra para tatëpjesës së madhe. Ngjarja ka ndodhur më 31 korrik dhe Abazovic në atë kohë ishte në një vizitë zyrtare në Tivar.
Abazoviç, pasi automjeti është ndalur në anë të rrugës, është zhvendosur në një veturë tjetër dhe që nga ajo kohë ka përdorur një veturë tjetër zyrtare, “Audi”. Nga MPB thonë se kontrollet e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për avari për shkak të vjetërsisë dhe kilometrazhit që ka mjeti.
“Ne jemi të bindur nga kontrolli i deritanishëm se defekti i automjetit ka ardhur për shkak të vjetërsisë dhe kilometrazhit të konsiderueshëm,”-bëri me dije Ministria e Brendshme.
Ata sqarojnë se 12 vjet është mosha mesatare e mjeteve motorike.
“Po ashtu edhe për momentin nuk ka të dhëna që do të tregonin se dështimi i mjetit të lartpërmendur në ngjarjen në fjalë është shkaktuar nga faktori njerëzor. Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një automjet që përdoret nga zyrtarë të Administratës Policore, të cilët kryejnë detyra sigurie për Kryetarin e Qeverisë së Malit të Zi, Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiç, ka iniciuar mbikëqyrjen e jashtëzakonshme nga Drejtoria për Çështje të Sigurisë dhe Mbikëqyrjes me qëllim përcaktimin e shkakut të ngjarjes,”-tha Axhiç./Vijesti