Putin akuzon Perëndimin se po e kërcënon ekzistencën e Rusisë me luftën në Ukrainë

0

Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të martën se do të vazhdojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe e ka akuzuar aleancën e NATO-s për nxitje të konfliktit, me “besimin e gabuar” se mund ta mposhtë Rusinë.

I rrethuar me flamuj rusë, Putin i është drejtuar kombit duke thënë se Rusia “do t’i zgjidhë me kujdes detyrat që kemi para nesh”.

Putin ka thënë se Rusia ka bërë gjithçka për ta shmangur luftën, mirëpo Ukraina, e përkrahur nga Perëndimi, ka planifikuar që ta sulmojë Krimenë.

Rusia e ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014, ndonëse ky veprim nuk njihet nga Perëndimi.

Putin ka thënë se Perëndimi e ka lëshuar xhindin nga shishja në disa rajone në botë, për të nxitur kaos dhe luftë.

“Vetë njerëzit e Ukrainës janë kthyer në pengje të regjimit të Kievit dhe organizatorëve perëndimorë, të cilët e kanë pushtuar këtë shtet në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik”.

Putin e ka përsëritur qëndrimin që Rusia po përballet me kërcënim nazist dhe kërcënime e urrejtje nga regjimi i Kievit.

Por, sipas tij, mposhtja e Rusisë është e pamundshme.

SHBA-ja: Kërcënimi nga Perëndimi është “absurditet”

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se pretendimi i Putinit se lufta në Ukrainë është nxitur nga Perëndimi është “absurditet”.

“Askush nuk është duke e sulmuar Rusinë. Është absurditet të thuhet se Rusia ka qenë nën një formë të kërcënimit ushtarak nga Ukraina, apo kushdo tjetër”.

“Kohë e komplikuar”

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit, duke thënë se do të flasë “në kohë të komplikuar” për Rusinë dhe “në kohën e ndryshimeve drastike në botë”.

Presidenti rus ka thënë se “ngjarjet historike do ta përcaktojnë të ardhmen e vendit tonë…. Secili prej nesh ka përgjegjësi të mëdha”.

“Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në mënyrë paqësore”

Putin ka vazhduar fjalimin duke pretenduar se Rusia ka tentuar ta zgjidhë konfliktin në rajonin ukrainas të Donbasit në mënyrë paqësore.

Sipas tij, përkushtimi i Perëndimit për paqe ka qenë “mashtrim” dhe “gënjeshtër mizore” dhe ka pretenduar se Kievi ka tentuar të mbledhë armë biologjike dhe bërthamore.

“Ne kemi bërë gjithçka të mundshme për ta zgjidhur këtë problem në mënyrë paqësore, për të negociuar në mënyrë paqësore këtë konflikt të vështirë, mirëpo mbrapa shpinës sonë ka qenë duke u përgatitur një skenar i vështirë”.

“Ukraina dhe Donbasi janë kthyer në simbole të gënjeshtrave”, ka thënë Putini, duke e akuzuar Perëndimin për tërheqje nga “marrëveshjet thelbësore” dhe deklarata “hipokrite”, si dhe për zgjerim të NATO-s dhe mbulimin e Rusisë “me një çadër”.

“Dua ta përsëris, janë ata fajtorë për luftën, dhe ne jemi duke e përdorur forcën për ta ndalur atë”, ka thënë Putin.

Kritika shtesë ndaj Perëndimit

Në mesin e akuzave tjera, ai ka thënë se Perëndimi është “duke e tërhequr vëmendjen e njerëzve nga skandalet e korrupsionit”.

Ai ka thënë më pas se Perëndimi “ua ka hapur rrugën” nazistëve për të marrë pushtetin më 1930 dhe që prej shekullit të 19-të, Perëndimi ka tentuar të shkëpusë trojet historike nga shteti ynë – “atë që sot njihet si Ukrainë”.

“Gjithçka përsërit veten”, ka thënë Putin, duke shtuar se Perëndimi e ka financuar revolucionin e vitit 2014 në Ukrainë, i cili “e ka rritur rusofobinë dhe nacionalizmin ekstrem”.

Putin ka thënë pak gjëra për kombin në 20 minutat e parë të fjalimit dhe pjesën më të madhe të kohës e ka shfrytëzuar për të kritikuar Perëndimin.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Ndikimi i luftës brenda Rusisë

Putin ka thënë përgjatë fjalimit se e ka përgatitur një listë me emra të seksioneve ushtarake që do të dëshironte t’i falënderonte, mirëpo lista, sipas tij, është shumë e gjatë.

Turma ka duartrokitur kur ai ka thënë se “përulet para familjeve dhe grave të ushtarëve”.

Presidenti rus i ka falënderuar mësuesit, ndërtimtarët dhe bujqit, që kanë luftuar në front të luftës.

Ai është zotuar se do të mbështesë familjet e ushtarëve rusë.

“Secila familje që ka humbur një luftëtar, secili veteran do të ketë një koordinator për kujdes shëndetësor që do t’ia zgjidhë të gjitha çështjet”.

Ai është zotuar për krijim të një fondi të posaçëm qeveritar për t’iu ofruar ndihmë personave që kanë marrë pjesë në luftë apo familjeve të tyre.

Situata ekonomike

Putin ka thënë se ekonomia ruse ka dalë më e qëndrueshme sesa është pritur pas sanksioneve ndërkombëtare dhe se bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) nuk ka rënë ashtu siç është pritur.

“Ata kanë parashikuar shkatërrim të ekonomisë ruse, mirëpo bizneset ruse e kanë rindërtuar logjistikën, partneritetin”, ka thënë ai.

Për më shumë, ai ka thënë se dëshiron të krijojë një sistem të sigurt të pagesave ndërkombëtare që do të ulin varësinë ndaj Perëndimit.

“Ne nuk duhet t’i përsërisim gabimet tona. Ne nuk guxojmë të shkatërrojmë ekonominë tonë”.

Ai ka thënë se sanksionet perëndimore synojnë t’i shkaktojnë “vuajtje” popullit rus, por nuk kanë pasur sukses, dhe ka pretenduar se vlera e rublës ruse në transaksionet ndërkombëtare “është dyfishuar”.

Korrje “rekorde” të grurit

Edhe në të kaluarën, Putin e ka shfrytëzuar fjalimin para kombit për të lavdëruar korrjet e grurit, ndërsa këtë herë i ka falënderuar bujqit për atë që e ka konsideruar “korrje rekorde”.

Ai ka shtuar se planifikon të rrisë eksportet e grurit për 60 milionë tonë deri në fund të vitit 2023.

Sipas tij, një rritje e tillë në të kaluarën është menduar vetëm si “përrallë”.

Planet për bashkëpunim ekonomik

Në një moment të fjalimit, ai është ndalur te planet dhe ambiciet për të ardhmen, duke përmendur përmirësimin e lidhjeve ekonomike.

Ai ka folur për zgjerimin e autostradave nga Moska në Kazan dhe me Mongolinë e Kinën, ashtu që të zgjerohen lidhjet e Rusisë me lindjen e Azisë.

Putin ka thënë se dëshiron të rrisë bashkëpunimin edhe me Indinë dhe Iranin.

Presidenti rus ka folur edhe për transformimin ekonomik prej rënies së Bashkimit Sovjetik më 1990.

Putin ka pretenduar se Perëndimi nuk është ndalur kurrë nga nxitja e tensioneve në shtetet ish-sovjetike përmes formave të shtypjes ekonomike.

Lihen mënjanë ndarjet e përfolura mes elitave ruse

Fjalimi i Putinit është ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e publikut, i cili është përbërë nga anëtarë të Asamblesë Federale, si dhe liderë ushtarakë e biznesorë.

Pjesëmarrësit janë ngritur disa herë në këmbë për ta duartrokitur presidentin rus, duke treguar një front të përbashkët, ndonëse përflitet se ekzistojnë tensione në mesin e zyrtarëve të lartë ushtarakë për shkak të luftës në Ukrainë.

Disa prej aleatëve më të ngushtë të Putinit, përfshirë Guvernatoren e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina, besohet se janë kundër luftës.

Mirëpo publikisht, të gjithë duken afër Putinit.

Fokusi i radhës… të drejtat e komunitetit LGBT

Përgjatë fjalimit, presidenti rus ka folur edhe për të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), një temë që e diskuton shpesh.

“Familja nënkupton bashkim në mes të burrit dhe gruas”, ka thënë Putin, duke shtuar se “ashtu thonë tekstet e shenjta të secilës fe në botë”.

“Mirëpo Perëndimi është duke vënë në dyshim këto tekste të shenjta… Ne duhet të mbrojmë fëmijët tanë nga degradimi dhe degjenerimi – dhe ashtu do të bëjmë”, ka thënë mes tjerash Putin.

Këto deklarata janë përcjellë me duartrokitje nga pjesëmarrësit në sallë. REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu