Putin shpall armëpushimin e Pashkës: Do të zgjasë deri të hënën. Reagimi i Kievit do të tregojë sesa e do paqen

0

Presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një “armëpushim për Pashkë” në luftën në Ukrainë, duke urdhëruar ndalimin e të gjitha veprimeve ushtarake nga sot në orën 18:00 deri në mesnatën e së hënës.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin njoftoi vendimin gjatë një takimi me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, Valery Gerasimov.

“I udhëhequr nga konsiderata humanitare, urdhëroj ndalimin e çdo veprimi ushtarak gjatë kësaj periudhe”, tha Presidenti rus.

Kjo është hera e parë që Rusia shpall një periudhë paqeje që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022. Sipas Kremlinit, “armëpushimi i Pashkëve” pritet të respektohet nga Ukraina, megjithëse Kievi ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj njoftimit.

Putin e konsideroi armëpushimin si një provë të “gatishmërisë së regjimit të Kievit për ta zgjidhur çështjen në mënyrë paqësore”.

Megjithatë, Rusia ka paralajmëruar se trupat e saj do të mbeten “gati për të zmbrapsur” çdo veprim që ajo e konsideron si shkelje të armëpushimit.

“Ne presim që pala ukrainase të ndjekë shembullin tonë. Në të njëjtën kohë, trupat tona duhet të jenë të gatshme për të zmbrapsur çdo shkelje të armëpushimit dhe provokime nga armiku, si dhe çdo veprim agresiv prej tij”, tha Putin.

Megjithëse Putini e justifikoi vendimin si një akt humanitar, lufta e tij ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka rrënuar qytete të tëra në Ukrainë. Vetëm pak ditë më parë, një sulm me raketa ruse në qytetin Sumy, la të vrarë 34 persona, përfshirë fëmijë.

Deklarata e Putinit vjen ndërkohë që presioni ndërkombëtar për një armëpushim të plotë dhe për rifillimin e bisedimeve për paqe po rritet, veçanërisht pasi ish-presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA do të tërhiqet nga çdo përpjekje për negociata nëse nuk ka përparim të dukshëm.