Qarku i Tiranes mban peshen me te madhe te kreditimit në vend për individët me afro 70% e totalit. Por, kete vit tendencen per te kerkuar para ne banka e ka pasur Elbasani, me rritje rreth 7.5%.
Mes 12 qarqeve në vend, Tirana mban rekordin për sa i përket kredisë së marrë nga individët, ndërkohë që Elbasani ka pasur rritjen më të lartë të kredive të dhëna nga bankat në pjesën e parë të vitit.
Në Elbasan, po kërkojnë gjithnjë e më tepër hua për financimin e konsumit apo blerjen e banesës, duke e çuar kredinë e përgjithshme në 8.8 mldlekë, me rritje rreth 7.5%.
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, Tirana kryeson huatë për individët me 230 miliardë lekë, por me një rritje prej vetëm 6.1%.
Kryeqyteti ndiqet nga Durrësi me 22 miliardë lekë kredi dhe rritje me 5.4% në krahasim me tremujorin e parë, ndërsa në vend të tretë vjen Vlora me 9.9 miliardë lekë dhe 5.4% rritje.
Shuma e kredisë së fierakëve kap një vlerë prej 9.3 miliardë lekësh, duke u rritur me 5.2%, ndërsa në Elbasan ka arritur në 8.8 miliardë lekë me një rritje rekord prej 7.4%.
Rritja e kredisë sipas qarqeve ka ndjekur të njëjtin trend si në 2023, ku Elbasani mbante vendin e parë për ritmet e larta të rritjes në pjesën e parë të vitit.
Megjithatë, kredia në Tiranë zë më shumë se 67% të totalit të kredive të dhëna në të gjithë vendin.





