TURQI- Selia e Federatës Turke të Futbollit në Stamboll u vu në shënjestër të një sulmi me armë nga një person i paidentifikuar. Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Ömer Çelik e bëri të ditur lajmin gjatë një konference rutinë me gazetarët, duke thënë se ai kishte folur me presidentin e Federatës së Futbollit, Mehmet Büyükekşi me telefon duke pyetur për gjendjen e tij.
Agjencia private e lajmeve Demirören (DHA) tha se shtatë plumba goditën ndërtesën gjatë një takimi të bordit të federatës.Agresori u arratis me një automjet në pritje përpara se të arrinin forcat e sigurisë.
Nuk kishte asnjë koment të menjëhershëm nga Federata. “Policia do t’i zbardhë më vonë të gjitha detajet”, tha Çelik. Ekipet kryesore të futbollit në Turqi e dënuan sulmin.
Fenerbahçe me qendër në Stamboll e dënoi ashpër sulmin dhe tha se ata kanë besim të plotë se policia dhe hetuesit së shpejti do t’i gjejnë autorët. Galatasaray, Beşiktaş ,Trabzonspor dhe Istanbul Başakşehir e dënuan ashpër sulmin.