Qeveria mbylli shkollën, përfaqësuesit e “Mehmet Akif”: E morëm vesh nga media, do ndjekim rrugën ligjore

0

TIRANË-Fondacioni Gulistan ka reaguar pas vendimit të publikuar ditën e djeshme nga Qeveria ku u mbyll shkolla private “Mehmet Akif”. Fondacioni bën të ditur se ata u njoftuan po dje se shkolla nuk i përmbushte kriteret për vijimin e aktivitetit. Ata kanë paralajmëruar se do të ndjekin procedurat ligjore kundër këtij vendimi me besimin se drejtësia do thotë fjalën e fundit.

DEKLARATA:

Nëpërmjet medias jemi njoftuar sot për VKM-në me objekt mbylljen e aktivitetit të institucionit tonë duke mos mësuar zyrtarisht mbi shkaqet e vendimit, i cili godet në radhë të parë arsimin cilësor në Shqipëri.

Shkolla e Mesme jopublike “Mehmet Akif” eshte pjese e Fondacionit “Gulistan” prej 26 vitesh në Shqipëri duke zbatuar në mënyrë të përpiktë kuadrin ligjor të vendit, ndërsa mbart mbi vete një histori të madhe suksesi teksa është radhitur në mënyrë të vazhdueshme në krye të listës së shkollave më të mira.
Me dhjetëra medalje ari dhe qindra të tjera në olimpiada brenda dhe jashtë vendit, shkolla jonë është një krenari e nxënësve, prindërve që na besuan si edhe vetë Shqipërisë duke dhënë një kontribut të rendësishëm në rritjen e cilësisë së arsimit këtu. Jo më kot, institucionet përgjegjëse na kanë vlerësuar si ndër më të mirë për vite me radhë në këtë sektor. Deri më tani, në shkollën tonë janë arsimuar mijëra nxenës, të cilët sot përbëjnë elitën intelektuale të vendit, ndërsa duam të theksojmë se krahas tyre, vendimi i qeverisë prek në mënyrë të drejtpërdrejtë 159 nxenës nga e gjithë Shqipëria dhe familjet e tyre krahas mësuesve dhe stafit mbështetës të shkollës. Pavarësisht sukseseve tona, dashurisë dhe përkushtimit ndaj arsimit, sot u përballëm me një vendim të tillë, i cili sipas nesh nuk ka të bëjë me arsimin apo zbatimin e ligjeve të këtij vendi.

Si u shkua deri këtu

Në fund të vitit mësimor 2021-2022 u ndjemë të detyruar të ndryshojmë godinën, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë, te një tjetër, në zonën e Mëzezit / Kashar (ish-godina e Univesitetit “Aldent”).
Për të kthyer këtë godinë në një ambient të denjë për standardet tona, vepruam sipas përcaktimeve ligjore duke njoftuar Ministrinë e Arsimit si edhe morëm leje për të kryer punime nga institucionet e qeverisjes vendore.
Gjatë kësaj periudhe, deri në fund të muajit gusht kemi patur inspektime dhe korrespondencë të rregullt me autoritetet përgjegjëse dhe nuk kemi hasur asnjë problem dhe nuk jemi informuar për diçka që nuk shkon në drejtim të vijimit të punës normalisht.
Në 14 shtator të këtij viti, pranë shkollës sonë paraqitet një grup pune i Ministrisë së Arsimit për të kryer inspektimet mbi ligjshmërinë e veprimtarisë.
Çuditërisht, sot më datë 22 shtator, nëpërmjet postës jemi njoftuar nga Ministria e Arsimit se institucioni ynë nuk i plotëson kriteret për vijimin e aktivitetit.
Ndodhur pëpara një vëndimi të tillë, kemi bindjen e plotë se drejtësia do e thotë fjalën e saj.
Fondacioni Gulistan do ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të mundësuar vijimësinë normale të aktivitetit arsimor. Me Respekt, Fondacioni Gulistan

Katër ditë më parë kopshti jopublik “Zübeyde Hanım”, i cili është pjesë e shkollave Turgut Ozal me anë të një njoftimi shpërndarë prindërve njoftonte se me kërkesë të Ministrisë së Arsimit ky kopësht do të mbyllej. Ndërkohë me anë të një VKM-je (Vendim i Këshillit të Ministrave) është vendosur dhe mbyllja e Institucionit Arsimot “Mehmet Akif Ersoy”. Deri më tani nuk kemi ende asnjë deklaratë nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me këto vendime të qeverisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu