LIBAN- Shtetet e Bashkuara të mërkurën organizuan një fluturim nga Bejruti në Stamboll, duke transportuar shtetas amerikanë jashtë Libanit, në mes të përshkallëzimit të luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Duke folur për gazetarët, Miller tha se rreth 7,000 qytetarë amerikanë në Liban janë regjistruar në qeverinë amerikane për informacion se si të largohen nga vendi. Megjithatë, jo të gjithë kërkojnë ndihmën e autoriteteve amerikane për t’u larguar.
Avioni që u nis sot kishte një kapacitet prej rreth 300 vendesh. Ai mbante rreth 100 qytetarë amerikanë dhe anëtarët e familjeve të tyre. Sipas Miller, Uashingtoni ka qenë në kontakt me linjat ajrore që nga e shtuna për të ndarë vende për qytetarët amerikanë në fluturimet e tyre komerciale.