Janë 154 afganët të cilët kanë mbërritur në Tiranë gjatë natës dhe janë akomoduar në konviktet e Qytetit Studenti.
Ata po qëndrojnë në godinat 11 dhe 12, pranë mencës dhe qendrës shëndetësore.Dalja e refugjatëve nga godinat bëhet me ndihmën e punonjësve të kontraktuar.
Avioni i dytë, që u nis nga Kabuli mbërriti një natë më parë në aeroportin e Rinasit, rreth orës 22:45, me 95 pasagjerë në bord, mes të cilëve 2 foshnje.
Pas mesnate, rreth orës 01:15 mbërriti dhe grupi i dytë, me fluturimin nga Doha, me 59 shtetas të tjerë afganë.
Sipas Olta Xhaçkës shumica e këtyre janë studentë dhe gra me emër në shoqërinë civile në Afganistan, të cilave u rrezikohet jeta nga talibanët.
Dy ditë më parë, rreth orës 23:00 arriti avioni i pari me 121 afganë. Ata janë akomoduar në strukturat hoteliere luksoze të Golemit.