Zbulohet identiteti i anglezit që humbi jetën në Dhërmi. Mediat britanike shkruajnë se bëhet fjalë për një student hebre nga Londra.
22-vjeçari Zohar Dean Collins vdiq në një aksident tragjik gjatë pushimeve në Shqipëri.
Mendohet se ai ra nga kati i tretë i hotelit. Sipas disa raportimeve, ai ishte në gjendje të dehur.
Pasi kishte mbaruar vitin e tretë të universitetit, ai kishte udhëtuar me shokët drejt Dhërmiut.
Collins ishte student i fizikës në Universitetin e Lidsit.
Një nga shokët e dhomës tha se ai ishte bashkë me të ditën e fundit.
“Isha me Zohar në ditën e fundit të tij në këtë planet. Mund t’ju them se ai ishte i lumtur, plot me jetë dhe po e shijonte botën rreth tij si gjithmonë”.
Një fond i hapur online për të sjellë trupin e tij në vendlindje dhe për të mbuluar kostot e funeralit ka mbledhur deri më tani 22 mijë sterlina.
Shoqata e Fizikës pranë Universitetit të Lidsit po ashtu postoi një mesazh-homazh për studentin.
“Humbja e Zoharit lë një gropë të madhe në jetët tona. Shoqata jonë nuk do jetë njësoj pa të”.