Pak orë para vizitës së presidentit Serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë, nga Këshilli i Ministrave është miratuar një marrëveshje në kuadër të ‘Open Balkan’. Lëvizja e minutave të fundit, e bërë publike nga ministrja e bujqësisë, Frida Krifca, ishte miratimi i marrveshjes në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe fitosanitare, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Krifca u shpreh se me këtë marrëveshje do të mundesojë që për herë të parë të hapet eksporti për të gjitha produktet blegtorale, duke përfshirë kafshët e gjalla në bazë të reciprocitetit, besueshmërinë nëpërmjet autoriteteve homologe të sigurisë ushqimore.
‘Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e veterinarisë në kuadër të Ballkanit të Hapur. Për herë të parë hapet eksporti për produktet blegtorale në bazë të reciprocitetit duke zbatuar mbrojtjen e territoreve nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe kafshë. Njihen për herë të parë certifikatat fidosanitare, të veterinarisë shëndetësore dhe laboratorët e akredituar duke hequr një kosto të shtuar për bizneset. Duke adresuar një shqetësim që biznesi ka pasur. Duke kryer kontrolle në doganën më të afërt të destinacionit. Marrëveshja nënkupton edhe shkëmbim informacionesh në kohë reale për të siguruar shkëmbimin e produkteve.‘- u shpreh Krifca ditën e sotme.





