Numri 1 i futbollit europian Aleksandër Ceferin u largua nga Tirana duke marrë garanci të plotë nga kryeministri Edi Rama se zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Futbollit do të zhvillohen qetësisht më 2 mars, por kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk mendon njësoj. Në një intervistë për News 24, Veliaj tha se nuk do të tërhiqet nga beteja me Federatën Shqiptare të Futbollit e me kryetarin Armand Duka. Veliaj shtoi se e sheh shumë të pamundur që të ketë zgjedhje për kreun e FSHF në 2 Mars pa u sqaruar situata aktuale. Ai tha se duhet pritur që Ceferin të sjellë misionin për të parë rregullsitë dhe se s’ka pse të nxitojë askush për zgjedhje. Dukës i bëri thirrje që të largohej vetë nga gara.
“Do të ishte në pjekurinë dhe burrërinë e Armando Dukës, nëse ka ende, që të tërhiqet vetë nga gara dhe të thotë se pa u sqaruar çështja e transparencës së procesit, nuk mund të shkohet në zgjedhje. Si mund të ketë një ishull, si FSHF, që nuk e kontrollon askush? Këtu mundësitë janë dy: ose sillet si njeri i pjekur, i rritur, i mençur dhe i matur dhe thotë ‘unë e kam çuar FSHF në zgrip dhe praktikisht po përdor si shantazh një ndeshje futbolli në Tiranë, që të zgjidhem me padrejtësi’ dhe largohet vetë, ose shteti i së drejtës do të duhet të reagojë dhe t’i thotë – ‘më fal, këtu ndodhi një faull dhe për këtë faull ka karton të kuq. E shoh shumë të pamundur që të ketë zgjedhje në 2 mars, sidomos pasi Ceferin tha, ‘fillimisht do të sjell një mision për të parë të gjithë parregullsitë’. Kështu që, nuk ka pse të nxitojë askush të bëjë zgjedhje, kur në fakt u arrit një marrëveshje që ne të kalojmë fillimisht pak kohë për të parë parregullsitë dhe t’i rikthehemi një procesi ligjor vetëm pasi ato të jenë sqaruar. Imagjinoni sikur në 6 mars, në Vorë edhe në Rrogozhinë qytetarët të shkojnë dhe t’i gjejnë kutitë gjysmë plot! Që aty do thonë: ‘Është shitur ndeshja. Për çfarë do të shkojmë të votojmë?”- tha Veliaj.
Ceferin ishte në Shqipëri dhe mori garanci të plotë nga Kryeministri i vendit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në FSHF. Dosja.al raportoi se kreut të UEFA-s iu premtuar se nuk do të ketë më ndërhyrje politike dhe institucionale për të shmangur çdo dyshim. Aleksandër Ceferin ka angazhuar dy zyrtarë të lartë të UEFA-s për të monituar situatën orë pas ore në çdo qytet të Shqipërisë, për të mos patur probleme si të deritanishmet. Ai paralajmëroi pasoja katastrofale për futbollin në Shqipëri nëse nuk do të tërhiqej politika.