Rama flet për Fatos Nanon: Kafshë politike që pata fatin ta njoh! Marrëdhënien që ka sot me ish- kryeministrin

0

Në 68-vjetorin e ditës së tij të lindjes, kryeministri Edi Rama i ka bërë një mesazh të gjatë urimi, ku flet me superlativa për figurën e tij, por edhe tregon marrëdhënien që sot kanë mes njëri- tjetrit. Rama e quan “kafshë politike”, që pati fatin të njihte, ndërsa rrëfen se sot kanë një marrëdhënie të shëndetshme dhe një komunikim miqësor.

TIRANË- Në 68-vjetorin e ditës së tij të lindjes, kryeministri Edi Rama i ka bërë një mesazh të gjatë urimi, ku flet me superlativa për figurën e tij, por edhe tregon marrëdhënien që sot kanë mes njëri- tjetrit. Rama e quan “kafshë politike”, që pati fatin të njihte, ndërsa rrëfen se sot kanë një marrëdhënie të shëndetshme dhe një komunikim miqësor.

Kreu i qeverisë ka zgjedhur jo rastësisht këtë foto, është momenti i daljes së tij të parë për mediat pasi u lirua nga burgu, në të cilën vë theksin te ndryshimi që ka pësuar në fytyrë.

“Djali i birësuar që vrau babanë e tij për t’i marrë skeptrin”, e përshkruan Rama marrëdhënien e tij me Nanon, pasi ka qenë ky i fundit që e solli nga Parisi dhe e bëri pjesë të PS-së, ndërsa sot, “janë dy timonierë të një makine, por një i turnit të parë dhe tjetri i turnit të dytë”.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama
“FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimmbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurëdjegur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.

Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjen së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në qeverisjen e vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndêrtimit pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.

Historia e marrëdhies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht.

Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovietik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu