Rama i përgjigjet kritikëve pas ‘dollisë’ në Dibër: Me diktatorin i kam mbyllur hesapet kur kërkova lirimin e…

0

 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave që ka ngjallur një foto e tij duke ngritur dolli me ujë të pijshëm një ditë më parë në Dibër.

Rama shprehet se Bashkia e Dibrës e ka nisur e para furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në ditë ndërsa shton se nuk i kupton ata që shajnë dhe mallkojnë sa herë flitet dhe punohet në këtë sektor.

Kreu i qeverisë akuzon kundërshtarët politikë dhe ka një koment edhe për ata që e kanë krahasuar gjestin e tij me atë të diktatorit Enver Hoxha.

Ai shton se me Enver Hoxhën i ka mbyllur hesapet që kur kërkoi lirimin e të burgosurve politikë. “Sa për atë krahasimin me Enverin, gëzuar edhe një herë Dibra! Me ujë 24 orë”, shkruan Rama.

DEKLARATA E PLOTË

DY FJALË PËR UJIN NË DIBËR, që ka ardhur me pikatore, 2 deri 4 orë në ditë, qysh në kohë të komunizmit e këtej mbrapa po e po.

Ne nisëm qysh në krye të herës një reformë dhe bëmë një plan investimesh për ujin e pijshëm 24 orë. Mandati i parë ishte dalje nga gropa e thellë e borxheve dhe kusureve të Partisë së Rublave. Investimet për ujin ecën, por me ngadalësi – akoma më ngadalë në bashkitë e rublaxhinjve. Mandatin e dytë u rrit ndjeshëm ritmi edhe falë largimit të ujëthithësve të LSI nga prehri ynë, deri kur erdhën me radhë tërmeti e pandemia, që diktuan përsëri ngadalësim të këtyre investimeve. Puna sidoqoftë vazhdoi pa ndërprerje dhe harta e mbuluar me ujë 24 vazhdoi të zgjerohet.

Bashkia Dibër e nisi para disa ditësh furnizimin me 24 orë ujë të 36 mijë abonentëve, ndërkohë që deri në pranverë, do të mbulohet me ujë 24 orë edhe Bashkia Mat, ku furnizimi i ujit të pijshëm qysh në kohë të komunizmit ka qenë 1 deri 2 orë në ditë.

Natyrisht që do të kishte qenë mirë të mos e kishim pasur ujin e pijshëm problem për zgjidhje në dekadën e dytë të shekullit 21. Por, sinqerisht, nuk i kuptoj disa që shajnë e mallkojnë me tërbim sa herë flitet e punohet për ujin e pijshëm, a thua se ne po ia presim ujin popullit dhe jo po ia çojmë përditë e më shumë në çezëm, nga Veriu në Jug, falë investimesh masive e një pune të mundimshme plot pengesa!

Disa që bëjnë interesantin kundër të gjithëve, thonë mallkuar PS e PD që merren akoma me ujin, kur bota merret me Hënën e me Marsin! Po si qenka njësoj PS, e cila me qeverisjen e saj po e mbyll, hap pas hapi, plagën shekullore të mungesës së ujit të pishëm, me PD që jo nuk bëri asgjë për ta kuruar këtë plagë të vjetër, po e thelloi atë me rrumpallën e krijuar në sistemin e ujësjellësave dhe stimulimin e vjedhjes masive të ujit përmes lidhjeve të paligjshme(?)! Dhe më falni po çfarë faji kemi ne konkretisht, që e trashëguam një plagë të tillë nga shekujt, apo mos vallë duhet të na vijë turp pse po e kurojmë dhe po e shërojmë hap pas hapi(?)!

Disa të tjerë shajnë në tym pse unë ngrita një shëndet me ujë dje në Dibër, jo Enveri, jo komunizmi, jo tërrci-vërrci! Po që të jemi shumë të qartë, e para ujë të pishëm 24 orë nuk ka pasur në shumë e shumë zona të Shqipërisë, përfshirë edhe Dibrën, as në kohën e Enverit dhe e dyta, kur unë ngre shëndet me ujë as më shkon mendja hiç tek Enveri, se me Enverin i kam mbyllur hesapet i pari fare në këtë vend, kur fola publikisht kundër tij e kërkova lirimin e të burgosurve politikë bashkë me Ardian Klosin, teksa të tjerët, me Hienën Nongrata në krye nuk bëzanin për shokun Enver dhe i quanin të burgosurit politikë “llumi i shoqërisë”.

Ka edhe disa që thonë mos u merr me ata që shajnë e mallkojnë. Po në fakt unë s’u mora me ta këtu, po u mora me vetë faktin që tregon ndryshimin e madh mes PS, e cila po realizon hap pas hapi, pas planin e vonuar me shekuj për Ujin 24 orë dhe Aleancës së Rublave, partira, pëdëra e lirira, kanale e portale, të cilat derdhin përditë në veshët e shqiptarëve ujrat e zeza të urrejtjes së tyre, e hedhin përditë në sytë e shqiptarëve baltën e zezë të ligësisë së tyre.

Sa për atë krahasimin me Enverin, gëzuar edhe një herë Dibra! Me ujë 24 orë


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu