Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konferencë me gazetarët, ku prezantoi rezultatet e Këshillimit Kombëtar, proces i cili sipas tij do të zgjidhë dilemat e qeverisë për vendimmarrjen e së ardhmes. Edhe në konferencën ku gazetarët e dëgjuan për më shumë se një orë, Rama nuk i kurseu sulmet ndaj tyre.
Fillimisht Rama e quajti dashakeqëse pyetjen e gazetares Blerina Gjoka, se pse qeveria shqiptare vazhdon të paguajë para për inceneratorët që janë duke u hetuar nga SPAK, dhe kanë çuar në dhjetra arrestime, ndërsa më pas tentoi të diktonte edhe trajtimet e lajmeve nga ana e tyre.
Rama ‘shpalli’ gazetaren Elia Zotka si kryetaren e shoqatës së gazetarëve, të cilës i kërkoi që të monitoronte të tjerët, pasi në të kundërt do ti dërgonte edhe ata në riedukim siç ka bërë më gazetaren Ambrozia Meta, të cilës i ka ndaluar për 60 ditë që të futet qoftë në ambientet e kryeministrisë, qoftë në selinë e PS-së.
Shkak për këtë u bë diskutimi në lidhje me krijimin e një ‘grupi parlamentar të PS-së brenda burgut’.
Rama paralajmëroi se i njëjti fat mund të ndjekë edhe gazetarët që prishin paktin, ose e thënë hapur, ata gazetarë që nuk i binden vullnetit të kryeministrit.
“Shumë faleminderit të gjithëve, edhe ti si kryetare e sindikatës, do të monitorosh gjithë të tjerët që ti qëndrojnë paktin. Një merak kam me ty, që të mos hysh edhe ti në riedukim”, tha Rama në konferencë me gazetarët.