Rama kujton Qazim Sejdinin në Elbasan: Dua të besoj që na sheh nga lart…

0

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka mbajtur takimin përmbyllës elektoral në Elbasan për Partinë Socialiste, nga ku dhe kujtoi ish-kryebashkiakun socialist Qazim Sejdinin.
Rama u shpreh se shpreson që Sejdini të jetë duke i parë nga lart, teksa u kërkoi të pranishmëve ta nderojnë të ndjerin me duartrokitje.
“Do doja shumë sot, që këtë lum njerëzish që është mbledhur këtu, nga dy anët e këtij bulevardi, ta shikonte dikush që sot nuk është këtu. Dua të besoj që Qazim Sejdini na shikon nga lart dhe dua të gjithë të çoheni në këmbë e të bëni një duartrokitje për Qazim Sejdinin. Faleminderit”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi fillimet e Partisë Socialiste në Elbasan, duke shtuar se mbështetja e kësaj force politike nga ky qark ka ardhur duke u rritur sipas tij. Duke iu rikthyer zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, Rama u ndal tek rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në unionin evropian.
“E kemi filluar atëhere me një grusht njerëzish, jo se PS ishte një grusht, por se vinte nga një disfatë e madhe. E sa herë jam rikthyer këtu, ai grusht njerëzish ka shkuar duke u hapur, duke u hapur, duke u hapur, duke u hapur… e sot është kjo dorë e cila në 11 Maj kërkon që i gjithë Elbasani, e të gjithë banorët e gjithë këtij qarku të bëhen bashkë për Shqipërinë 2030 në BE. Për t’u bërë bashkë t’i ngjitemi asaj maje, që ne e kemi mision dhe drejt të cilës fati ynë e desh që pikërisht në këtë moment të na vijë ne mundësia që me votë t’i japim Shqipërisë fuqinë që i duhet për të ngjitur edhe metrat e fundit e për të vënë në atë majë flamurin, duke i dhënë fund një historie shumë të gjatë që i ka bërë shqiptarët të ndihen si të huaj në zemër të Evropës”, tha Rama.