Në një postim të fundit në Facebook, opinionisti Olti Curri ka hedhur një deklaratë që ka ngjallur diskutime të shumta në opinionin publik. Sipas tij, Kryeministri Edi Rama po mendon emrin e Arbër Hajdarit si kandidat të PS për zgjedhjet e ardhshme në Bashkinë e Tiranës.
Ky lajm ka qarkulluar edhe më parë në rrjetet sociale, gjë që tregon se themeluesi i organizatës “Fundjavë Ndryshe” ndoshta e ka fituar prej kohësh vëmendjen e Kryeministrit.
Arbër Hajdari ka një profil publik të spikatur falë aktiviteteve të tij në ndihmë të shtresave në nevojë. Ai është përfshirë edhe në emisionin “Big Brother VIP” si opinionist, duke shtuar më tej praninë në media.
Emri i tij nuk është përmendur më parë si pjesë e ndonjë strukture politike. Lidhja e tij me Partinë Socialiste, të paktën publikisht, ka qenë e vakët apo e paqartë, çka e bën këtë kandidaturë të mundshme një hap të befasishëm, por të guximshëm.
Në mungesë të një konfirmimi zyrtar nga PS apo vetë Arbër Hajdari, këto për momentin mbeten vetëm spekulime, por me siguri që do të jenë pjesë e diskutimeve të nxehta politike në muajt në vijim.