Kryeministri i vendit, Edi Rama ka paralajmëruar fermerët se do të kenë penalitete në rast se nuk punojnë tokat. Në takim me fermerët në zonën e Fierit, shefi u qeverisë tha se u kishte kërkuar deputetëve të angazhuar me zonat rurale që të punojnë me Ministrinë e Financave për hartuar një normë të re ligjore për ata që e kanë tokën dhe nuk e punojnë.
Sipas Ramës, kjo normë e re ligjore parashikon se kush nuk e punon tokën nuk mund ta lërë djerrë dhe të thotë se nuk e japë me qira. Ai thotë se asnjë vend nuk e pranon këtë qasje siç ndodh aktualisht në Shqipëri.
“Na tregojnë se në kaq pak vite, në krahasim me kaq shumë probleme të trashëguara, pamë që mund t’ja dalim bashkërisht. Sot kemi ende toka të papunuara, por s’duhet të falim asnjë metër katror tokë bujqësore. Ndaj i kam kërkuar deputetëve të ulen bashkë me ju e të punojnë me Ministrinë e Financave për të vënë një normë ligjore që kush nuk e punon tokën, nuk mund ta lërë djerrë dhe të rrijë rehat e të thotë “s’ta jap me qira, s’ja jap kujt ta punojë se dua ta rrethoj e ta mbaj me plehra”.
Këtë se lejon asnjë vend, se toka aq sa është e jotja, private, aq është dhe pasuri publike. S’mund të lihet toka bujqësore me plehra, djerrë”, tha Rama