Rama zbulon të gjitha premtimet: Kujt do t’i dyfishohet paga vitin e ardhshëm

0

Kryeministri Edi Rama ka folur në Kuvend për objektivat e 4 viteve të ardhshme, ku premtoi rritjen e pagave për mësuesit dhe mjekët me 40% dhe për punonjësit e administratës me 30%.  Ata që sipas Ramës do të kenë dyfishim të pagës që në vitin e ardhshëm janë punonjësit e Operas dhe Baletit, që sipas tij do të jenë ambasador të Shqipërisë në vende të ndryshme të Europës dhe Botës.

Pjesë nga fjala e Ramës: 

Skavica dhe porti i Vlorës do të jenë dy prej investimeve më të rëndësishme amerikane në Shqipëri. Ne duam të diversifikojmë portofolin e energjisë së gjelbër në Shqipëri, sot jemi eksportuesit më të mëdhenj të perimeve në BP, dhe zëmë vendin e dytë për frutat, ndërkohë që kemi rritur ndjeshëm eksportet e prodhimeve të detit.

Ne duam ti çojmë eksportet në 1 miliardë dollarë, brenda mandatit katërvjeçar, kjo do të thotë më shumë ndihmë për fermerët. Kemi një plan konkret që do të vihet në veprim në 300 ditët e parë të mandatit. Do të ketë një transformim të Universitetit Bujqësor të Tiranës, në mbështetje me Universitetin e Vjenës.

Duam të jetë një qendër dijesh, të fusim agroturizmin si një degë të munguar në vendin tonë. Kemi një periudhë rikthimi pas një periudhe tërheqje për shkak të pandemisë, ne nuk duam që ky ritëm të bjerë nën dyshemenë e 4% rritje ekonomike vjetore. Nuk na mjafton asgjë nga këto pa shënuar një rritje të mëtejshme të klimës së biznesit, të konkurueshmërisë, me mbështetje financiare për ta mbyllur siklin e prodhimit brenda për brenda dhe për krijimin e markës MADE IN ALBANIA.

Rritje graduale e pagës minimale, mundësisht në 40 mijë lekë të reja deri në fund të mandatit 4 vjeçar, por e arritshme në 38 mijë lekë të reja. Unë ndjehem vërtetë mirë sot që nuk ka asgjë nga premtimet e fushatës që nuk janë në programin qeverisës. Asnjë nga synimet e shpallura në fushatë nuk ka mbetur pa u kthyer në objektiv qeverisës të mandatit të tretë.

Ka gjëra që nuk mund të shkojnë si duhet, prandaj ndodh që një premtim të mos mbahet dot në një kohë të premtuar, për shkaqe jashtë vullnetit të qeverisë. Është jashtë vullnetit të qeverisë pandemia, tërmeti, apo vullnetet e personave të tretë jashtë qeverisë. Unë asnjëherë nuk premtoj diçka që nuk bëhet, për gjithçka që kemi premtuar do të bëjmë çmos që të realizohet.

Kjo shumicë qeverisëse gjatë këtij mandati do të rrisë pagat e mësuesve, edukatorëve, mjekëve dhe infermierëve me 40%, do të rrisë pagat e administratës me 30%. Dua të shtoj këtu diçka që nuk e kemi premtuar, do të rritet paga e solistëve tanë të jashtëzakonshëm do të dyfishohet qysh nga viti i ardhshëm, për atë trupë që është një nga përfaqësitë më europiane dhe më dinjitoze që ka kjo Republikë, për ti kthyer në një ambasadore të Shqipërisë në rajon dhe botë.

Nuk kemi bërë premtime dhe për pensionistët, jo se nuk duhet të shpërblehen më shumë se të tjerët, por nuk kemi mundur dot që ta hedhim atë hap, pasi skema e vjetër e pensioneve, me papërgjegjësi kriminale i sigurimeve shoqëore, nuk e kemi mbyllur gropën që të bëjmë një rritje domethënëse të pensioneve. Unë dua tiu them të gjithë gjysheve dhe gjyshërve se një plan për ta është në tryezën tonë, do të jetë dita më e bukur e jetës sime politike, për një rritje domethënëse për pensionistët. Lus Zotin tia dalim që ta bëj realitet.