Grupet e Punës të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë për targat janë takuar sërish në Bruksel për të gjetur një zgjidhje të mundshme. Lajmi është konfirmuar nga i ngarkuari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili ka shkruar në rrjetet sociale se diskutimet sollën më shumë qartësi lidhur me zgjedhjen e përhershme.
“Delegacionet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë kanë ardhur në Bruksel për takimin e katërt të Grupit Punues për targat. Diskutimet sollën më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme. I inkurajoj palët që të vazhdojnë të punojnë për opsionet e mundshme deri në përfundim të afatit”, shkroi Lajçak në rrjetin e tij social.
Çështja e reciproritetit të targave rriti tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vitin e kaluar, duke rrezikuar përplasje në Veri të Kosovës. Prishtina zyrtare vendosi për reciprocitet, ndërkohë që vendimi nuk u prit mirë nga ana e Serbisë. Megjithatë pas disa negociatave e takimeve në drejtimin e zyrtarëve të huaj, dy vendet ranë dakord që të aplikohen ngjitëset deri në zgjidhjen e plotë të çështjes.