Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim në përfundim të restaurimit të një pjese të murit rrethues antik të qytetit të Durrësit, dëmtuar si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, theksoi këtë të martë se monumentet kulturore vazhdojnë të qëndrojnë si dëshmitarë të jashtëzakonshëm të historisë së Shqipërisë.
Nga qyteti i Durrësit, në emër të Ambasadës amerikane të Shteteve të Bashkuara, Kim shprehu ngushëllimet më të thella edhe për 51 viktimat e shkaktuara nga tërmeti tragjik.
“Më kujtohet se kur erdha këtu ishte thjesht muaji janar, se më kujtohet fare mirë se sa shumë punë po bëhej me procesin e rindërtimit dhe e kuptoj po gjithashtu se puna nuk ka mbaruar dhe ende vazhdon. Siç të gjithë ju jeni në dijeni, Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm ka një histori shumë të pasur, unë kam pasur mundësinë të vizitoj kështjellat e saj, vilat, urat, veprat e artit dhe madje edhe mbetjet e jashtëzakonshme të qyteteve antike”, tha ajo.
Ambasadorja amerikane thekson se pikërisht këto monumente qëndrojnë si dëshmitar të jashtëzakonshëm të historisë së Shqipërisë, kulturës dhe qëndrueshmërisë së saj të palëkundur. Sipas saj, çdo njeri që vjen të vizitojë Shqipërinë ka pasur mundësinë të shohë dhe të admirojë atë që shqiptarët kanë si trashëgimi kulturore dhe historike, por edhe dëshirën e madhe për t’i ruajtur këto thesare.
“Ne jemi shumë krenarë si ambasadë e SHBA-së që të jemi pjesë e përpjekjeve rindërtuese. Dëshiroj gjithashtu të falënderoj arkitektët dhe inxhinierët e trashëgimisë kulturore pa kufi, të cilët kanë punuar pa u lodhur për të studiuar çdo detaj të kësaj pike referimi dhe për t’u siguruar se çdo pjesë të kuptohet dhe të mbrohet për brezat që do të vijnë”, tha Kim.
Shtetet e Bashkuara në qershor të 2020-ës nënshkruan një grant prej afro 800,000 dollarësh për restaurimin e fortifikimeve në Krujë, Durrës dhe Prezë.
Projekti i Fondit të Ambasadorëve të SHBA-së për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore e filloi punën për restaurimin e Kullës C në Durrës, duke vazhduar më pas në Teqenë e Dollmës në Krujë, në Kalanë mesjetare të Prezës dhe në Kullën e Sahatit të Kështjellës së Krujës.
Që nga krijimi i tij në vitin 2001, Fondi i Ambasadorëve për Trashëgiminë Kulturore ka ofruar mbështetje financiare për më shumë se 1,000 projekte në mbi 125 vende të botës.