Rihapet pa ushqim kopshti i fëmijëve në Gramsh pas rasteve me salmonelë

0
Screenshot

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor , ka urdhëruar rihapjen e kopshtit të fëmijëve në qytetin e Gramshit. Vendimi vjen pas mbylljes së përkohshme të institucionit për shkak të shpërthimit të infeksionit të salmonelës, i cili preku rreth 20 fëmijë, përfshirë edhe një punonjëse kopshti. Në bazë të urdhrit të dhënë, kopshti do të vazhdojë funksionimin pa ofrimin e ushqimit për fëmijët, deri në një urdhër të dytë.Në dy ditët e para drejtoresha e institucionit pohon se kopshti është frekuentuar nga një numër minimal fëmijësh,por shpreson që ky numër të rritet në vijim.

Vetë AKU konfirmoi se fëmijët e kopshtit nr. 1 në Gramsh janë helmuar nga vezët, të cilat kanë rezultuar të kontaminuara me salmonelë. Por në kontrollet e kryera në subjektin prodhues ky i fundit ka rezultuar i pastër, duke hedhur dyshime se kontaminimi të jetë kryer në ambjentet e kopshtit. Përballë një situate të tillë komuniteti lokal ka paqartësi dhe pasiguri. Hetimet vijojnë, ndërsa përgjegjësit e atyre që rrezikuan jetën e fëmijëve e jo vetëm, ende nuk kanë dalë.