Irani ka pezulluar bisedimet e paqes me SHBA-të, në shenjë proteste ndaj ofensivës së Izraelit në Liban, duke rritur më tej presionin mbi armëpushimin e brishtë mes dy vendeve, sipas agjencisë iraniane Tasnim.
Sipas raportimeve, të cilat citojnë burime të lidhura me Gardën Revolucionare iraniane, pezullimi do të mbetet në fuqi deri në momentin kur “të merren në konsideratë pozicionet e Iranit dhe të aleatëve të tij në terren”.
Vendimi vjen në një moment kur Teherani dhe Washingtoni kanë zhvilluar prej javësh negociata të ndërmjetësuara për zgjatjen e armëpushimit të arritur në fillim të prillit. Këto bisedime synonin zgjatjen e pauzës së luftimeve me rreth 60 ditë, por zhvillimet e fundit kanë krijuar pasiguri të reja mbi ecurinë e tyre.
Sipas raportimit, tregjet e energjisë reaguan menjëherë pas lajmit, me çmimin e naftës bruto që u rrit me mbi 5 për qind, duke arritur rreth 95.93 dollarë për fuçi, në një reflektim të shqetësimeve për stabilitetin në rajon dhe rrugët strategjike të furnizimit.
Kriza lidhet drejtpërdrejt edhe me përshkallëzimin e konfliktit në Liban, ku operacionet ushtarake izraelite kundër Hezbollahut kanë intensifikuar tensionet rajonale dhe kanë ndikuar në dinamikën e negociatave SHBA-Iran.
Sipas burimeve të përfshira në proces, bisedimet e ndërmjetësuara kanë qenë të paqëndrueshme ditët e fundit, me sinjale të përziera mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit.
Pezullimi i dialogut rrit rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm diplomatik dhe ushtarak në një rajon tashmë të tensionuar, ndërsa aktorët ndërkombëtarë përballen me vështirësi në ruajtjen e ekuilibrit mes de-eskalimit dhe zhvillimeve në terren.
Përpjekja e SHBA-ve për armëpushim në Liban ngec
Përpjekja më e fundit e Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban ka ngecur, ndërsa Izraeli po zgjeron operacionet tokësore dhe po kërkon miratimin e Washingtonit për të kryer sulme të gjera ndaj objektivave të Hezbollahut në Bejrut.
Sipas Axios, administrata e Presidentit Donald Trump ka ushtruar presion prej javësh ndaj Izraelit që të shmangë goditjet në kryeqytetin libanez, si pjesë e një strategjie më të gjerë për uljen e tensioneve në rajon. Megjithatë, zyrtarë amerikanë kanë lënë të kuptohet se ky qëndrim mund të zbutet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Hezbollahut ndaj territorit izraelit.
“SHBA-të nuk presin që Izraeli të vazhdojë të përballojë sulmet ndaj civilëve të saj nga një organizatë terroriste”, citohet të ketë thënë një zyrtar amerikan.
Përpjekja diplomatike e Washingtonit lidhet edhe me negociatat që administrata Trump po zhvillon me Iranin. Burime amerikane bëjnë të ditur se draft-marrëveshja mes SHBA-ve dhe Iranit përfshin edhe ndalimin e luftimeve në Liban, por zhvillimet në terren po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë arritjen e këtij objektivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar gjatë 48 orëve të fundit biseda me presidentin e Libanit, Joseph Aoun, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në përpjekje për të avancuar një iniciativë të re armëpushimi.
Sipas planit amerikan, Hezbollahu do të ndalte sulmet me raketa dhe dronë ndaj Izraelit, ndërsa Izraeli do të shmangte përshkallëzimin e operacioneve në Bejrut. Presidenti Aoun raportohet se e ka mbështetur këtë nismë dhe i ka kërkuar kryetarit të Parlamentit libanez, Nabih Berri, të ushtrojë ndikim mbi Hezbollahun për të ndalur sulmet.
Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, përgjigjja e Berrit ka qenë “evazive dhe zhgënjyese”, duke argumentuar se është Izraeli ai që duhet të ndalojë i pari sulmet.
Ndërkohë, konflikti vazhdon të zgjerohet. Izraeli ka shtuar operacionet tokësore në jug të Libanit dhe, sipas zyrtarëve izraelitë, i ka kërkuar administratës Trump leje për të kryer sulme të mëdha në Bejrut kundër objektivave të Hezbollahut.
Presidenti Trump kishte kërkuar më parë që Izraeli të kufizohej vetëm në goditje “kirurgjikale”, por zhvillimet e fundit mund të ndryshojnë qasjen amerikane.
Një zyrtar i lartë libanez deklaroi se as Hezbollahu dhe as Izraeli nuk duken të interesuar për një armëpushim të qëndrueshëm. Sipas tij, Irani po inkurajon Hezbollahun të rrisë intensitetin e sulmeve për të fituar avantazh në negociatat me SHBA-të, ndërsa Washingtoni nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të frenuar përshkallëzimin e qeverisë së Netanyahut.
Pavarësisht disa armëpushimeve të shpallura gjatë muajve të fundit nga Trump dhe Rubio, ato kanë mbetur kryesisht formale, pasi të dyja palët kanë vazhduar shkeljet dhe operacionet ushtarake në terren.





