Denoncim i kandidates për Primare në Elbasan, Silvi Bardhi
Rilindja, pasi ka lënë në varfëri qytetarët e Elbasanit, kërkon t’i blejë sërish me mashtrime në fund të mandatit të saj të fundit qeverisës. Kandidatja për Primare në Elbasan, Silvi Bardhi, ka denoncuar publikisht një praktikë të paligjshme që po zhvillohet në qarkun Elbasan në prag të zgjedhjeve.
Partia Socialiste e ka bërë rrugë që në çdo periudhë fushate të shpërndajë favore nën dorë ose hapur para syve të miliona shqiptarëve, duke shkelur hapur ligjin. Rasti konkret lidhet me shpërndarjen e legalizimeve në qarkun Elbasan.
Sipas denoncimit, dokumente për legalizime po shpërndahen nga administratorët e njësive të qeverisjes vendore. Këta administratorë, të pajisur me listat e vetëdeklarimeve, po trokasnin derë më derë për të njoftuar aplikantët ose për t’u ofruar atyre legalizime.
ASHK Elbasan ka shpërndarë me dhjetëra njoftime për legalizime që nga mesi i janarit deri më sot, një veprim që ndalohet nga ligji gjatë periudhës katër mujore para zgjedhjeve. Këto njoftime janë të pashoqëruara me leje legalizimi, genplane apo skica përkatëse.
Qytetarëve që kërkojnë të aplikojnë u thuhet se mjaftojnë vetëm me njoftimin për të marrë tapitë e pronave të tyre. Megjithatë, ky njoftim duhet të shoqërohet me lejen fizike të legalizimit, sipas legjislacionit në fuqi.
Silvi Bardhi ka bërë thirrje që organet ligjzbatuese të verifikojnë numrin e protokollit, kohën e njoftimit dhe kohën e prodhimit e nënshkrimit të lejeve të legalizimit për këto raste. Dyshimet janë se këto njoftime po përdoren për qëllime të drejtpërdrejta elektorale në qarkun Elbasan.
Partia Demokratike i bën thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të ndërhyjë, duke zbatuar rregullat që ndalojnë shpërndarjen e lejeve të legalizimit gjatë kësaj periudhe.
Qytetarët e Elbasanit këshillohen të mos bien pre e mashtrimeve të qeverisë, e cila prej 12 vitesh i ka lënë në varfëri dhe kushte të mjerueshme. Favoret e çastit janë thjesht një mashtrim për t’ju mbajtur sërish në kushte mbijetese dhe nënshtrimi.
Partia Demokratike ka shprehur gatishmërinë për të qenë në krah të qytetarëve, duke ofruar mbështetje për denoncimin dhe zgjidhjen e problemeve që kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes 12-vjeçare të Rilindjes.