Rinumërohen 60% e votave të Tiranës: Ngushtohet diferenca mes Xhaçkës dhe Gjylametit

0

Ka vijuar edhe këtë të martë, në pallatin e sportit “Farie Hoti”, procesi i rinumërimit të votave për Qarkun e Tiranës.

Deri më tani, sipas faqes zyrtare të KQZ-së, janë hapur rreth 720 kuti, ose thënë ndryshe, rreth 60 për qind e totalit të kutive që janë për t’u rinumëruar në këtë zonë zgjedhore.

Nga rinumërimi deri më tani rezulton se PD ka humbur mbi 360 vota, PS afro 260, ndërsa forcat e tjera politike kanë lëvizje më të pakta të votave.

Lëvizje votash ka edhe mes kandidatëve brenda partive. Ilir Alimehmeti i PD-së ka deri më tani 88 vota pa meritë. Jorida Tabaku ka 69 vota pa meritë, por nuk e thyen diferencën që ka me Alimehmetin, duke zbehur kështu shpresat e këtij të fundit se mund të futej në Kuvend me rinumërimin e votave. 57 vota pa meritë ka edhe Ilir Meta.

Në PS, numrin më të lartë të votave pa meritë e ka ministri Ervin Hoxha me 264 vota, 131 ka Xhemal Qefalia, 135 Fatmir Xhafaj, apo Braçe me 136 vota. Këto vota iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë.

Ajo që bie në sy deri më tani është ngushtimi i diferencës në vetëm 92 vota mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, Xhaçka ka humbur nga rinumërimi 47 vota, ndërsa Gjylameti ka fituar 1 votë.