TIRANË- Rozeta Dobi, gruaja që në bashkëpunim me të birin, Havier, vodhi shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi ishte e punësuar në shumë shtëpi. Mësohet se ajo ishte e ‘preferuara’ e zyrtarëve, pasi Klosi nuk ishte e vetmja të cilës ajo i pastronte shtëpinë. Megjithatë, emrat e punëdhënësve të tjerë të Rozetës nuk janë zbuluar, të cilët do të mund të zbardhnin pronarët e më shumë se 400 mijë eurove që u gjetën sot në banesën e familjes Dobi.
Nënë e bir vodhën shtëpinë e ish-zyrtares së lartë në Kryeministri, Alda Klosi, banesë në të cilën Rozeta ishte punësuar prej pesë vitesh si pastruese. Ata e inskenuan ngjarjen si grabitje duke hyrë më forcë në banesë, në një kohë që Rozeta kishte celësin që i kishte dorëzuar Klosi, në mënyrë që të futej e të pastronte banesën.
Ngjarja u zbulua nga kamerat e sigurisë dhe denoncimi u bë nga Klosi më 15 dhjetor, por goditja e Policisë së Shtetit erdhi vetëm tre ditë më parë, kur u vunë në pranga nënë e bir.