Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ Kopshtari i resortit: Ishin 4 persona të armatosur! Më thanë ‘ka vdekur njëri’, më kërkuan një kazmë e një lopatë

0

Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit Golden ku dyshohet se ka vdekur dhe më pas është zhdukur Jan Prenga, ka rrëfyer detaje në sallën e gjyqit për ngjarjen. Ai ka deklaruar se e kishte parë personin e vdekur, ndërsa shprehet se ishte tejet i frikësuar. Kopshtari gjithashtu tregon se kanë qenë katër persona të armatosur, jo të maskuar, por thekson se nuk i mbante mend. Bexhdili tha më tej se ishte duke pastruar pishinën në momentitn që një Range Rover i bardhë është futur tek garazhi.

“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një Range Rover i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 veta të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe ju dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur, nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga Ranger në një Fiat Doblo, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin.

Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha mu dukën si nga veriu. Aty erdhi pastaj Altin Hajri. Ai i shau dhe ju tha “c’doni këtu, po na merrni në qafë”. Ju kërkoi të ikin shpejt. Nuk e di c’bëri Altini pastaj. Nuk e di për çfarë i deshën kazmën e lopatën. Jua dhashë dhe ata i futën ne makinë. Pasi ata ikën unë shkova në shtëpi në Kavajë”, ka deklaruar Bexhdili.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz në 17 janar 2020 me porosi të Rexhepit. Prej 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur ende. Kjo ndodhi pasi vëllai i Prengës kishte vjedhur një sasi kokaine në Britaninë e Madhe që i përkiste Rexhepit. Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda në 1999. Ai ishte në listën e më të kërkuarve nga drejtësia shqiptare. Rexhepi u arrestua në vitin 2014 me 240 kg kokainë në Ekuador e vazhdonte drejtonte nga qelia operacionet e drogës.