Në shkretëtirën e Saharasë, në një nga mjediset më jomikpritëse që mund të imagjinohet, një zgjidhje natyrale për krizën klimatike po rritet – dhe me një ritëm të shpejtë. Startup Brilliant Planet me bazë në Londër, ka marrë me qira 6.100 hektarë tokë jashtë qytetit të largët bregdetar të Akhfenir në Marokun jugor, i ndarë midis Oqeanit Atlantik në veri dhe Saharasë në jug. Dhe po e përdor atë për të kultivuar algat.
Algat thithin dioksidin e karbonit atmosferik dhe lëshojnë oksigjen nëpërmjet fotosintezës, dhe e kanë bërë këtë që përpara se të ekzistonin bimët e para tokësore. CEO i Brilliant Planet, Adam Taylor, thotë se kompania ka zhvilluar një mënyrë për të rritur algat me ritme eksponenciale, duke filluar nga një gotë në një laborator dhe duke përfunduar në pishina 12.000 metra katrorë me ujë deti me burim lokal.
Taylor thotë se procesi imiton një lulëzim natyral të algave, dhe një epruvetë algash mund të shumëzohet për të mbushur 16 nga këto pishina gjigante, ekuivalenti i 77 pishinave të përmasave olimpike në vetëm 30 ditë.
Algat nxirren nga uji, më pas pompohen në një kullë 10-katëshe dhe spërkaten në ajrin e shkretëtirës.
“Zgjidhjet e bazuara në natyrë janë një mënyrë e shkëlqyer për të hequr karbonin”, tha Taylor për CNN, duke argumentuar se shkretëtirat janë një mjedis i pashfrytëzuar.
“Nuk kushton shumë para për të marrë me qira shkretëtirën (dhe) qeveritë janë entuziaste për të pasur ndonjë aktivitet ekonomik”, vijoi ai.
Heqja e dioksidit të karbonit
Paneli i OKB-së për ndryshimet klimatike, IPCC vlerëson se qindra miliarda ton dioksid karboni do të duhet të hiqen nga atmosfera deri në vitin 2100, për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius.
Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është debatuar shumë. Janë propozuar shumë zgjidhje për kapjen e karbonit, ku më tërheqësja është kapja e drejtpërdrejtë e ajrit.
Teknologjia, e cila ka marrë mbështetje shumë miliarda dollarësh nga Departamenti i Energjisë i SHBA-së, përdor makina me filtra për të pastruar dioksidin e karbonit nga atmosfera, i cili më pas mund të ruhet nën tokë ose të përdoret në materiale si betoni. Megjithatë, teknologjia mbetet në shkallë të vogël, ndërkohë që kritikuesit e saj thonë se është e shtrenjtë, me energji intensive dhe e paprovuar.
Zgjidhje të tjera si mbjellja e pemëve, biokarburanti dhe bioenergjia me kapjen dhe ruajtjen e karbonit, kanë kërkuar të përdorin aftësitë natyrore të florës së planetit për kapjen e karbonit. Secili ka të mirat dhe të këqijat e veta, duke përfshirë infrastrukturën e kërkuar dhe kohëzgjatjen e sekuestrimit.
Taylor pretendon se zgjidhja e Brilliant Planet mund të heqë përgjithmonë 30 herë më shumë dioksid karboni nga atmosfera për hektar në vit, se sa një pyll tipik evropian.
Në një email, Fatna Ikrame El Fanne, një inxhiniere mjedisore dhe bashkëthemeluese e lëvizjes bazë Youth For Climate Marocco, e përshkroi përdorimin e algave si “një strategji të re dhe premtuese”.
Karakteristikat gjeografike të Marokut e bëjnë atë një mjedis të përshtatshëm, tha ajo. “Ka rajone të mëdha shkretëtirash në vend që mund të konvertohen për projekte të kapjes dhe ruajtjes së karbonit”, shtoi ajo.
El Fanne tha: “Prodhimi i mikroalgave në një shkallë të gjerë mund të dëmtojë ekosistemet lokale, të tendos burimet ujore dhe të modifikojë habitatet”.
“Kërkohen qasje të menaxhimit të qëndrueshëm të tokës, konsumi efikas i ujit, restaurimi ekologjik, pajtueshmëria me rregullat, pjesëmarrja e komunitetit dhe monitorimi i vazhdueshëm”.